Kush ia bëri “gropën” buxhetit? Sa ndikoi te të ardhurat kursi i këmbimit e prodhimi i energjisë
Gjatë këtij viti, disa zëra të buxhetit po përballen me mosrealizime. Kjo çështje u adresua edhe në prezantimin e projektbuxhetit 2020 nga ministrja e Financave Anila Denaj.
Kush ndikoi negativisht këtë 9 mujor?
Shkaqet që kanë ndikuar në performancënë periudhën janar-tetor 2019, sipas Ministrisë së Financave janë rënia e kursit të këmbimit, prodhimi i energjisë elektrike, rënia e çmimeve të metaleve dhe naftës në tregjet ndërkombëtare etj.
Rënia e kursit të këmbimit të monedhës vendase ndaj monedhës USD dhe EURO, ka dhënë efekte në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja e importeve për 9 mujorin rreth 1,9 miliard lekë.
“Përjashtimi i imputeve dhe makinerive dhe pajisjeve bujqësore ka reduktuar të ardhurat e 9 mujorit për rreth 1,3 miliard lekë.Të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 21.3 miliardë lekë, 22% ose 6 miliardë lekë më pak se 9 mujori i vitit 2018 dhe 24.4% ose 6.9 miliardë lekë më pak se plani janar shtator 2019.
Rimbursimi i TVSH është realizuar në vlerën 14.5 miliardë lekë, 40% ose 4.2 miliardë lekë më shumë se 9-mujori i vitit 2018. Në performancën e TVSH-se kanë ndikuar edhe faktorë që nuk varen nga puna e administratës tatimore si (i) ulja e prodhimit të energjisë elektrike dhe rritja e importeve të saj çka ka ulur TVSH-në e brendshme dhe ka rritur TVSH në import 2,4 miliard lekë vetëm për 9 mujorin janar-shtator; (ii) ndryshimi i skemës së Projektit TAP nga furnizime me TVSH ne furnizime të përjashtuara” shkruhet në relacionin e projektbuxhetit 2020.
Të ardhurat nga Renta Minerare në eksport për vitin 2019 pritet të shënojë vlerën 2.4 miliardë lekë, 376 milion lekë më pak, në nivel realizimi 86.6% kundrejt planit.
“Të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë ulur si rezultat i rënies së sasisë së eksportuar, si dhe si rezultat i rënies së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare krahasuar me projeksionet për vitin 2019, duke sjellë rënie të rentës për njësi nga 3.62 lekë/ton në 3.42 lekë/ton.
Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rënie për shkak të rënies së çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare, e cila nuk është kompensuar nga rritja e sasisë së eksportuar me 146 mijë ton” shkruhet më tej në relacion.
Çfarë do të ndodhë deri në fund të vitit me të ardhurat?
Pritshmëritë e Ministrisë së Financave janë që të ardhurat totale të buxhetit të shtetit në fund të vitit 2019, pritet të jenë 474 miliardë lekë.
“Krahasuar me vitin 2018, rritja rezulton +5.34%, ose 24 miliardë lekë më shumë. Totali i të ardhurave në raport me PBB-në në fund të këtij viti rezulton 27.8%, nga 27.6 % që ishte në vitin 2018.
Rritja me +0.2% të PBB-së e të ardhurave të buxhetit të shtetit, është tregues i konsolidimit fiskal, përmirësimit në mbledhjen e të ardhurave dhe forcimit të financave publike të vendit. Kjo rritje vjen kryesisht si nga impakti i rritjes ekonomike, ashtu edhe nga përmirësimi në administrimin e të hyrave të buxhetit, pavarësisht efekteve negative në këto të ardhura të faktorëve të tillë si efektet nga kursi i këmbimit, ulja e prodhimit të energjisë elektrike, rënia e cmimeve të bursës për një sërë mineralesh etj” shkruhet në relacion.
Tatimi mbi vlerën e shtuar pritet që të mbajë të njëjtën tendencë mosrealizimi deri në fund të këtij viti. Referuar relacionit të projektbuxhetit 2020, performanca e të ardhurave nga TVSH në import është ndikuar në një masë të rëndësishme nga disa faktorë rënia e kursit të këmbimit të monedhës EURO kundrejt Lekut.
Ky faktor ka krijuar efekte negative në të ardhurat nga TVSH-ja për mallrat e importit. Vetën për periudhën 9 mujore Janar-Shtator, ky efekt negativ në të ardhurat e TVSH-së për mallrat e importit ka qënë -1.9 miliard lekë, ndërkohë që efekti i pritshëm vjetor pritet të jetë -2.5 miliard lekë.
Në zërin e akcizave, në periudhën janar-shtator, janë arkëruar 47,7 miliard lekë, 98,7 % e programit të periudhës. Deri në fund të vitit 2019, programi i të ardhurave pritet të realizohet rreth 99 %.
Ecuria e 9 mujorit dhe perspektiva deri në fund të vitit ndikohet nga disa faktorë:
-Cigare për konsum, objekt akcize është rritur 6,2 % ose 132 ton krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pritshmëria është që të realizohet objektivi vjetor i programuar.
-Karburante për konsum, objekt akcize është rritur 4,2 % ose 19 mije ton krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe në karburante pritshmëria është që të realizohet objektivi vjetor i programuar.
-Gjatë periudhë janar-shtator është rimbursuar apo përjashtuar 1,85 miliard lekë akcize për përfitues sipas ligjit, nga të cilat 1,2 miliard akcizë lekë është rimbursuar për serat me ngrohje, 410 milion lekë më shumë se në vitin 2018. Rimbursimi i akcizës pritet të rritet në muajt në vijim.
Të ardhurat nga Renta Minerare në eksport për vitin 2019 pritet të shënojë vlerën 2.4 miliardë lekë, 376 milion lekë më pak, në nivel realizimi 86.6% kundrejt planit.
Të ardhurat nga Taksa Doganore parashikohet të realizohen për 12-mujorin 2019 në masën 6.6 miliardë lekë ose në masën 90.3% ndaj planit si dhe një rritje e pritshme 387 milionë ose 6.2% krahasuar me faktin e vitit 2018.
Të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin pritet të realizohen në masën 35.2 miliardë lekë, 1.7 miliardë lekë ose 5% më shumë se plani vjetor i parashikuar.
Tatimi mbi të Ardhurat Personale pritet të realizohet 47.9 miliardë lekë, +6 miliardë lekë ose 14.3% mbi planifikimin
Të ardhurat nga Taksa Nacionale pritet të realizohen në masën 34 miliardë, -4.4 miliardë lekë ose 11.5% më pak se programi. Ndikim në uljen e të ardhurave nga taksat krahasuar me periudhat papaardhëse ka patur mbyllja e pjesës derrmuese të lojrave të fatit.
Të ardhurat nga Kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore që mblidhen nga administrata tatimore priten të realizohen në masën 95 miliardë lekë, +365 milionë lekë ose 0.4% më shumë se parashikimi.
SCAN