Kuvendi kërkesë Kushtetueses: Të rrëzohen paditë për 3 ligjet
Kuvendi i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të rrëzojë tërësisht kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për ankimimin e ligjit të vettingut. Kërkesa e Kuvendit për Gjykatën Kushtetuese, sipas BIRN, e përgatitur nga kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi bazohet në tre argumente kryesore; mungesa e legjitimitetit formal nga kërkuesit, shqyrtimi dhe rrëzimi i disa prej pretendimeve në vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese dhe tek fakti se parimet për kontrollin e figurës janë ndërtuar mbi bazën e standarteve më të mira ndërkombëtare.
Kuvendi pretendon se padia nuk duhej të ishte pranuar që në fillim, pasi avokati që mbron interesat e dy shoqatave të gjyqtarëve nuk rezulton në listën e avokatëve që mund të ushtrojnë profesionin përpara Gjykatës Kushtetuese.
Në dosje, sipas Kuvendit mungon gjithashtu një autorizim nga Këshilli Drejtues i Unionit të Gjyqtarëve si dhe nënvizohet fakti që të dyja shoqatat nuk mund të ngrejnë pretendime për çështje që lidhen me prokurorët.

