Leoni XIV do të vizitojë më 7 shtator Shenjtëroren e Nënës së Këshillit të Mirë, në Gjenacan
Në vendin e kultit augustinian, ku bëri një vizitë private dy ditë pas zgjedhjes së tij në fronin papnor, Papa do të kryesojë një Meshë në prag të festës të Lindjes së Virgjërës Mari. Me këtë rast, do të zbulohet një pikturë që e paraqet duke u lutur para figures së Zojës, si paraardhësit e tij
Leoni XIV kthehet në Gjenacan, në qytetin e vogël rreth dyzet kilometra larg Romës – destinacion pushimi gjatë Perandorisë Romake dhe fshat në Mesjetë, më vonë pjesë e feudalit të familjes Colonna – ku ndodhet Bazilika e Nënës së Këshillit të Mirë. Dikur kishë e vogël kushtuar Virgjërës Mari, iu besua fretërve augustinianë në shekullin e 14-të. Pas një vizite private më 10 maj 2025, dy ditë pas zgjedhjes së tij në fronin papnor, Papa do ta vizitonte Kishën e Zojës më 7 shtator, në orën 6:00 pasdite, për të kremtuar Meshën në prag të festës të Lindjes së Virgjërës së Lume.
Vizita e parë si Papë
“Dëshiroja shumë të vij këtu në këto ditë të para të shërbesës së re që Kisha ma besoi, për të çuar përpara misionin si Pasardhës i Pjetrit”, u tha Leoni XIV vëllezërve të tij augustinianë dhe besimtarëve të mbledhur jashtë Bazilikës gjatë vizitës së tij të parë në Gjenacan, si Papë. E shtoi, në librin e mysafirëve të kishës, se “ndjeu detyrën si dhe dëshirën e thellë” për t’iu afruar “shenjtores të Zojës së Këshillit të Mirë”. “Gjatë gjithë jetës sime, ajo më ka shoqëruar me praninë e saj amtare, me mençurinë e saj dhe shembullin e dashurisë për Birin e saj, gjithnjë qendra e besimit tim. Rruga, e vërteta e jeta! Faleminderit, Nënë, për ndihmën tënde; më shoqëro në këtë mision të ri”, shkroi Papa, i cili hyri në Urdhrin e Shën Agustinit në Provincën Agustiniane të Çikagos, kushtuar Nënës së Këshillit të Mirë.
Lidhja e Leonit XIV me Nënën e Këshillit të Mirë
10 maji 2025 ishte gjithashtu vizita e parë e papritur e Leonit XIV. Si rregulltar augustinian, Prevost e frekuentoi Shenjtnoren e Nënës së Këshillit të Mirë për dekada. Për herë të parë e vizitoi si student i ri në Romë, në fillim të viteve 1980, pastaj shpesh si Prior i Përgjithshëm, e përsëri si Ipeshkvi i Çiklajos dhe si Kardinal. Herën e fundit e vizitoi para se të zgjidhej Papë, në festën e Zojës sonë të Këshillit të Mirë, më 25 prill 2024. Në predikimin e tij i nxiti besimtarët të frymëzoheshin nga Maria për të përhapur paqen dhe pajtimin në mbarë botën. Për më tepër, në ditën e zgjedhjes së tij, më 8 maj 2025, përpara se të dukej në Lozhën Qendrore të Bazilikës së Shën Pjetrit, duke u lutur në Kapelën Pauline të Pallatit Apostolik, u gjunjëzua para figures të Zojës së Këshillit të Mirë, vendosur në të djathtë të altarit.
Historia e Shenjtërores
Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë u ndërtua në vendin e kishës së vogël të Shën Marisë, që naltohej aty që nga shekulli i 13-të, ndërsa fretërit augustinianë jetonin në një manastir të vogël jashtë mureve të qytetit të Gjenacanit. Në vitin 1356, familja Colonna, që ishte zonjë e saj, ua besoi kujdesin baritor të vendit të adhurimit murgjërve. Në fillim të shekullit të 15-të, ata vendosën ta rindërtonin dhe ta zgjeronin atë, së bashku me manastirin aty pranë. Petruccia, një e ve dhe terciare augustiniane, bashkëpunoi në projekt duke shitur të gjitha pasuritë e saj. Kujtoi se nuk kishte para të mjaftueshme për të përfunduar punën, duke pretenduar gjithmonë se do ta përfundonin Virgjëra e Lume dhe Shën Agustini. Më 25 prill 1467, një figure e Virgjërës së Lume Mari u duk në mënyrë të mrekullueshme mbi një mur të kishës, në ndërtim e sipër. Dy shtegtarë shqiptarë, më vonë, pohuan se nderohej në Shkodër të Shqipërisë, prej nga u largua në valë të luftës me turqit, që kishin rrethuar Kështjellën e Rozafës! Në atë Shkodër, ku ndodhet përsëri figurja e Zojës Mëri, e sjellë aty nga Papa e ku vijojnë të dynden besimtarë nga të katër anë e vendit… Qoftë ngahera kjo Shenjtnore strehë shpirtërore për besimtarin, për shtegtarin, për mbarë shqiptarët e edhe të huajtë, që i luten e s’i luten…
Por, të rikthehemi përsëri në Gjenacan…
Ngjarja shkaktoi habi dhe tërhoqi mijëra besimtarë. U regjistruan mrekulli dhe bekime dhe, falë fluksit të lëmoshëve, puna në kishë dhe në manastirin Agustinian përfundoi. Përpara Leonit XIV, Papët Urban VIII, Piu IX, Gjoni XIII dhe Gjon Pali II e vizituan shenjtëroren e Gjenacanit gjatë shekujve. Portretet e tyre janë në muret e kapelës së vogël të shenjtërores.
Me rastin e vizitës dhe festimit më 7 shtator, Atë Ludovico Centra njoftoi për mediat e Vatikanit se do të zbulohet një pikturë që e paraqet Papën Leoni XIV duke u lutur para figurës së Zojës, si paraardhësit e tij.
Vatican News
KOHA JONË SONDAZH

