Lezha, më shumë det se brigje (VIDEO)

Rritja e nivelit të detit është vrojtuar edhe në brigjet shqiptare, ku përparimi i ujit drejt tokës është mjaft i dukshëm në disa zona të vijës bregdetare. Kjo mësymje e detit drejt tokës është ndihmuar së fundmi nga shtimi i stuhive të natyrës tropikale të cilat kanë zgjeruar erozionin në mbi 30% të vijës bregdetare, proces i cili po shpejtohet nga dëmtimi i barrierave natyrale mbrojtëse dhe urbanizimi i shfrenuar përgjatë vijës bregdetare.

Ndër zonat më të prekura nga erozioni janë brigjet e Lezhës ku mësymja e detit drejt tokës vlerësohet mbi 100 metra duke rrezikuar ekzistencën e lagunës Kunë-Vain. Kjo lagunë ka luajtur rolin e mbrojtësit më të mirë ndaj përmbytjeve dhe erozionit por degradimi që kjo dunë ranore ka pësuar vit pas viti, e bën rolin mbrojtës të e saj të papërfillshëm.

Lezha paraqet tipare të klimës mesdhetare bregdetare ndërsa zonat rreth saj, i takojnë një kombinimi të klimës bregdetare me klimën mesdhetare kodrinore. Në normalitetin e saj, Lezha gjatë vitit ka 95 ditë me reshje ndërsa dielli mbizotëron në rreth 270 ditë të vitit. Temperatura mesatare vjetore në periudhën me klimë normale, vlerësohet 15.5 gradë Celsius, vlerë e cila ka ndryshuar duke nisur nga dekada e fundit e shekullit të kaluar. Në ditët e sotme, temperatura mesatare vjetore e Lezhës është ngjitur në 17.7 gradë Celsius.

Ky fillim-shekulli, ka regjistruar ndryshime të shumta në disa elementë të klimës. Një nga ndryshimet i takon rekordit historik të temperaturës maksimale e cila ka shënuar 42 gradë Celsius në gushtin e vitit 2016, por nuk ka ndodhur e njëjta thyerje termike me rekordin e minimales absolut të temperaturës; Lezha ruan minimumin historik -10 gradë Celsius, shënuar në dimrin e vitit 1963.

Ndërsa reshjet nuk paraqesin ndryshime të ndjeshme në sasinë prej 1700 milimetra në vit, por ndryshimi theksohet në shpërndarjen e tyre sipas muajve dhe stinëve. Periudha tetor–prill është më e pasura me reshje, por duket se po e humbet këtë tipar; vit pas viti reshjet po mungojnë në vjeshtë-dimër dhe po zhvendosen drejt pranverës. Gjatë 10-vjeçarit të fundit, reshjet po shfaqen shpesh gjatë muajve Maj–Qershor, kryesisht gjatë stuhive me rrebeshe intensive dhe përmbytje.

Përtej ndryshimeve të lehta në reshjet vjetore dhe ndryshimeve më të ndjeshme në vlerat termike, në Lezhë janë vrojtuar ndryshime të menjëhershme në gjeofizikën dhe termodinamikën e vijës bregdetare.. Rritja e temperaturës në përgjithësi, në sipërfaqet ujore ka ndikuar edhe temperaturën e brigjeve detare; netët dhe mëngjeset janë bërë më të ngrohta në brigjet e Lezhës.

Një nga mbrojtësit më të mirë të brigjeve detare në zonën e Lezhës, është laguna Kune-Vain, e cila dikur ka pasur një pyll të pasur me pisha dhe bimësi që shërbente si vija e parë e frontit mbrojtës ndaj goditjes së stuhive duke penguar erën e fuqishme dhe dallgët e larta të depërtonin në brendësi të lagunës apo më tej, drejt qytetit.

Stuhitë e forta ndër vite kanë lënë gjurmët e tyre në brigjet e Lezhës por janë stuhitë e viteve të fundit të cilat janë bërë më të shpeshta e më të egra. Përveç rrebesheve të shiut, breshrit apo përmbytjeve, është forca shkatërrimtare e erës me shpejtësi edhe100 km në orë që ka ngritur dallgë të larta në Adriatik, të cilat godasin pamëshirë brigjet ranore të Lezhës.

Goditja e shpeshtë prej stuhive i ka bërë brigjet e Lezhës më të dobëta, më të pafuqishme përballë stuhive detare të cilat sa vijnë dhe bëhen më të egra duke shfaqur shpesh-herë, tiparet e stuhive tropikale apo të uraganeve të forcës së ulët. Parashikimet afatgjata sinjalizojnë shpeshtim të stuhive në gjithë vijën bregdetare shqiptare, aq më tepër në gjirin e Lezhës ku rrymat e fuqishme jugore përplasin fuqinë e tyre maksimale.

Përgatiti: A2Cnn

SHKARKO APP