Lezhë, zyrtarët: Mos guxojë njeri të kultivojë kanabis
Drejtori i Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Rënda, Niko Brahimaj, ka qenë i ashpër me vartësit e tij në Policinë e Vlorës, duke i kritikuar për luftën kundër kanabisit. Ai tha se gjatë 2018-s ka pasur mungesë të informacionit, ka numër të vogël të hetimeve si dhe dobësi në bashkëpunimin ndërinstitucional në luftën kundër këtij fenomeni.
Pas Vlorës, edhe në Lezhë puna kundër këtij fenomeni nuk ka qenë në nivelin e kërkuar. Shqetësimi është ngritur nga Drejtori i Policisë Vendore në Lezhë Ferdinand Mara, gjatë një takimi të organizuar nga prefekti me përfaqësuesit lokal në Kurbin.
”Ka qenë një bashkëpunim vetëm në hapat e para dhe nuk është konkretizuar deri në përfundim të procesit apo luftës kundër këtij fenomeni. Do të kërkoja që të ishte një bashkëpunim i vazhdueshëm, jo vetëm në hapat e para. Zbatimi i detyrave ndënkupton shkëmbimin e informacionit gjatë gjithë kohës. Ndaj kryepleqve të fshatrave do të kërkoja një angazhim maksimal, në të gjitha drejtimet por drejtimi kryesor në sensibilizimin e çdo bashkëfshatari. Toleranca ndaj këtij fenomeni është zero.
Prefekti i Lezhës Gjergj Prendi, në fjalën e tij tha se nuk do të ketë tolerime ndaj shkelësve të ligjit, ndërsa u ka kërkuar kryetareve të fshatrave angazhim më të madh në përmbushjen e detyrave të tyre. ”Kryetarët e njësive administrative, të tërheqin vëmendjen e kryepleqve dhe kjo fjalë të shkojë te secili kryeplak, nëpërmjet kryeplakut te secili banor. Mos guxojë njeri të kultivojë kanabis, lë me të trafikojë. Tolerancë zero”.
Kurbini mbetet një ndër zonat më problematike përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike, ndaj është kërkuar angazhim maksimal për të minimizuar këtë fenomen mjaft shqetësues. Vlora listohet në qarqet me problematike në fushën e kultivimit dhe trafikimit, krimit kundër pronës dhe personit.

