Godina e Ministrisë së Arsimit në tym e flakë, Balla akuzon: Berisha i vuri zjarrin Ministrisë së Arsimit
Godina e Ministrisë së Arsimit është sulmuar me molotov nga protestuesit, duke shkaktuar zjarre në katin e parë dhe të dytë. Protestuesit bërtisnin në kor “Digje! Digje!”, teksa ndaj godinës hidheshin lëndë plasëse. Pas disa minutash, forcat e policisë ndërhynë duke larguar demonstruesit dhe duke u vënë në lëvizje për të shuar zjarrin. E gjithë Rruga e Durrësit është shndërruar në një arenë përplasjeje mes studentëve protestues dhe policëve, për të dytën ditë radhazi tashmë.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, akuzoi Partinë Demokratike dhe deputetët e saj se janë nxitës së zjarrvënies te Ministria e Arsimit të mërkurën. Duke publikuar një video ku shihen deputetët Klevis Balliu dhe Luçiano Boçi teksa flasin me një të ri, Balla thotë se ata qëndrojnë pas veprimeve të dhunshme.
“Kush ia vuri zjarrin Ministrisë së Arsimit? Zjarri mban emrin Sali Berisha. Me studentët Qeveria është gjithmonë derëhapur të ulet dhe të flasë. Dhunën po e bëjnë jo-studentët! Por ngelësit për pushtet”, shkruan Balla.

