
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar ndaj debateve që shoqëruan takimin e kryeministrit Edi Rama me një grup studentësh, duke hedhur poshtë pretendimet se të rinjtë e pranishëm nuk përfaqësonin zërin e protestuesve. Gonxhja u kërkoi kritikëve ta shohin me më pak dramatizim këtë takim, ndërsa theksoi se pjesëmarrësit vinin nga organizata dhe grupime të ndryshme rinore.
“Duhet të qetësoj të gjithë ata që janë në merak pse ne i takuam studentët dhe kush ishin këta dhe pse këta nuk janë protestues. Dua t’i them që ta marrin më me qetësi këtë histori dhe ta marrin më me pak dramë jetën”, u shpreh ministri. Gonxhja nuk i kurseu as kritikat ndaj atyre që kanë vënë në dyshim legjitimitetin e studentëve të pranishëm, duke i ftuar të angazhohen në mënyrë më produktive në jetën shoqërore.
“Disa prej tyre unë këshilloj që sinqerisht do ishte mirë që të gjenin një jetë aktive, të gjenin një jetë produktive, të ishin pjesë aktive e krahut të duhur të historisë në të mirë të vendit, jo domosdoshmërisht në Partinë Socialiste, por të bënin punë të mira për vendin”, deklaroi ai në ”A2cnn”’. Sipas ministrit, nuk mund të përdoren standarde të ndryshme për të përcaktuar se kush konsiderohet student dhe kush jo, në varësi të pjesëmarrjes në protesta apo takime institucionale.
“Nuk mund të jetë që janë studentë kur janë në rrugë, por nuk janë studentë kur ulen me Gonxhen”, theksoi ai. Duke u ndalur te organizimi i takimit, Gonxhja sqaroi se të rinjtë ishin përfaqësues të shoqatave dhe grupimeve që bëjnë pjesë në Këshillin Rinor Shqiptar, të cilin e cilësoi si një strukturë të pavarur nga ndërhyrjet politike.
“Këshilli Rinor zgjidhet me votim të lirë, pa asnjë ndërhyrje, pa asnjë lloj interference nga ana e qeverisë dhe janë të gjithë njerëz të cilët vijnë nga eksperienca të ndryshme, që mund të jenë me bindje të ndryshme, që mund të jenë pa bindje politike fare”, tha Gonxhja. Ministri zbuloi gjithashtu se në takim kishin marrë pjesë edhe studentë që kishin qenë aktivë në protesta, duke kundërshtuar kështu idenë se diskutimi ishte zhvilluar vetëm me të rinj që mbështesin qëndrimet e qeverisë.
“Aty kishte një vajzë e cila thoshte se kishte dalë 140 ditë në protestë; Aty kishte vajza dhe djem të cilët ndoshta nuk ishin fizikisht në protestë, por të cilët ishin në sintoni me kërkesat e shumë prej protestuesve”, deklaroi ai. Sipas Gonxhes, gjatë bashkëbisedimit nuk kanë munguar as temat që lidhen me kërkesat e hershme të studentëve ndaj qeverisë. “Kanë folur për Paktin e Universiteteve, kanë folur për vitin 2018, për gjithë listën e premtimeve dhe zotimeve”, përfundoi ministri.
