Ligji i ri, si mund të pajiseni me armë zjarri në Shqipëri

Përcaktohen procedurat për vlerësimin e kërcënimit të rrezikut për jetën dhe pajisjen me autorizim të posaçëm për mbajtje arme. Vendimi është miratuar në mbledhjen e Qeverisë.
Në bazë të tij,
Policia e Shtetit ka përgjegjësinë për vlerësimin e kërcënimit të rrezikut për jetën për persona që, për shkak të aktivitetit shtetëror ose të rrethanave personale të veçanta, janë të ekspozuar ndaj rrezikut për jetën dhe u njihet e drejta e mbrojtjes së veçantë.
Vlerësimi i rrezikut për jetën dhe lëshimi i autorizimit përkatës për mbajtje arme bëhet për dy kategori personash:
a) Persona në rrezik për shkak të aktivitetit shtetëror;
b) Persona në rrezik për shkak të rrethanave personale të veçanta.
Policia e Shtetit krijon një komision për vlerësimin e rrezikut të personave për shkak të aktivitetit shtetëror që kanë pasur ose kanë aktualisht, si dhe për ata për shkak të rrethanave personale të veçanta, të përbërë nga 5 veta, me këtë përbërje:
a) Drejtori i Sigurisë Publike Kryetar;
b) Drejtori për krimet e rënda anëtar;
c) Drejtori për krimet anëtar;
ç) Jurist i drejtorisë anëtar;
d) Shefi i sektorit për shërbimet ndaj të tretëve anëtar.
Për vlerësimin e kërcënimit për jetën, brenda 72 orëve nga paraqitja e kërkesës, të administrohet dokumentacioni, si më poshtë vijon:
a) Kërkesa individuale e personit që kërcënohet për shkak të aktivitetit shtetëror ose rrethanave personale të veçanta;
b) Relacion nga komisariati ku banon personi, lidhur me ekzistencën e kërcënimit të jetës së personit, që kryen apo ka kryer më parë aktivitet shtetëror, ose të rrethanave personale të veçanta;
c) Ekstrakte nga informacionet, materiale të dala nga hetimi, materiale të dala nga kryerja e operacioneve apo teknikave speciale të hetimit etj., që i disponon policia ose institucione të tjera shtetërore, për ekzistencën e kërcënimit ose rrezikut të jetës së personit që ka bërë kërkesën;
ç) Kopje e dokumentit identifikues të personit të kërcënuar;
d) Vërtetim besueshmërie për personin e kërcënuar, hartuar nga komisariati ku ka vendbanimin.
Këto dokumente, të administruara në komisiariatin e policisë, brenda 3 ditëve pune dërgohen për t’u regjistruar në drejtorinë vendore të policisë dhe nga kjo drejtori përcillen, për miratim, në Komisionin Qendror, pranë Drejtorisë së Policisë.
Rrethanat personale të veçanta përfshijnë:
a) rrethanat që krijohen si rezultat i ekzistencës reale të kërcënimit për jetën, për persona që ndihmojnë policinë apo struktura të tjera shtetërore, në lidhje me identifikimin e veprave penale, autorëve të tyre si dhe sigurimin e provave të tjera;
b) rrethanat që krijohen për shkak të aktivitetit shtetëror që ka pasur ose ka personi që kërcënohet;
c) rrethanat që krijohen si rezultat i kallëzimeve për vepra penale në një mjedis ku reagimi për këtë veprim është kërcënues për jetën e kallëzuesit.
Sipas vendimit, Komisoni mblidhet brenda 5 (pesë) ditëve nga ardhja e kërkesës dhe shqyrton dokumentacionin e paraqitur nga drejtoria vendore/rajonale e policisë ku ka vendbanimin personi i kërcënuar për shkak të aktivitetit shtetëror ose rrethanave personale të veçanta.
Komisioni merr vendim paraprak, me shumicë, për vlerësimin e rrezikut dhe për lëshimin e autorizimit për mbajtje arme, me qëllim ruajtjen e jetës.
Afati i vlefshmërisë së autorizimit të posaçëm për mbajtje arme varion sipas ekzistencës së kërcënimit dhe rrezikut për jetën.

SHKARKO APP