Ligji për Rininë, Shahini i kthehet opozitës: Nuk i zgjidh problemet por…

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, i është përgjigjur opozitës, duke qartësuar edhe njëherë se çfarë sjell ”Ligji për Rininë”. Shahini thotë se ligji nuk ka të bëjë me zgjidhjen e problematikave të të rinjve, pasi sipas saj këtë gjë e bëjnë ligjet e tjera dhe portali i punësimit. Ajo thekson se për herë të parë, ”Ligji për Rininë” mundëson financimin publik të organizatave rinore dhe për të rinjtë me të vetmin qëllim që të stimulohet aktivizmi rinor, vetë-organizimi dhe angazhimi rinor në të gjithë Shqipërinë. ”Gjithashtu, ”Ligji për Rininë” obligon institucionet qeverisëse të përfshijnë të rinjtë në vendimmarrje”, shprehet ajo. Sipas Ministres, të dy këta elementë të domosdoshëm për fuqizimin e të rinjve kanë qenë kërkesë e hershme e OJF-ve rinore, ndërsa thekson se prej kohësh janë realizuar konsultime me të rinj dhe OJF në të gjithë vendin:

”Në vitin 2017-të një draft i parë i ligjit është hartuar nga MASR së bashku me OJF-të dhe e mbështetur nga ekspertë të UNFPA-së. Në vitin 2018-të është konsultuar me mijëra të rinj në të gjithë Shqipërinë dhe me OJF-të. Në 2019-tën ka kaluar nëpër ministritë përkatëse, është diskutuar në komisionet përkatëse, është redaktuar për të përfshirë komentet shtesë të OJF-ve dhe dje kaloi në parlament. Si mund të thuhet që ligji paska kaluar shpejt dhe pa u konsultuar”.

Ministrja Shahini qartëson se janë të tjera ligje e politika që rregullojnë punësimin e të rinjve dhe arsimimin formal: ”Po lexoj gjithëçfarë reagimesh opozitare nëpër portale, të cilat janë në rastin më të mirë të keq-informuara. Të qartësojmë diçka: ligji nuk ka për qëllim adresimin e punësimit të të rinjve dhe as arsimimin formal, pasi këto fusha rregullohen me ligje e politika të tjera (Ligji për Nxitjen e Punësimit; Ligji për Arsimin e Lartë; Ligji për Arsimin Parauniversitar; Pakti për Universitetin; portali i punësimit të studentëve në administratë: punëtëmbarë.al etj.)”, shprehet ajo teksa shton në fund se: ”Ky ligj siguron përfaqësim në vendimmarrje dhe financim publik të nismave rinore. Ky është një hap pozitiv për fuqizimin e të rinjve dhe afrimit të tyre një hap më afër bashkëmoshatarëve në BE. Sa për krahasim, gjysma e të rinjve në BE janë anëtarë të organizatave rinore dhe gati po aq angazhohen vullnetarisht për të mirën e komunitetit ku jetojnë apo mësojnë. Këto synojmë për të rinjtë shqiptarë gjithashtu”.

SHKARKO APP