Lindita Nikolla takon Kryetaren e Parlamentit zviceran, Kälin: Përgëzime për rolin e Shqipërisë si lider i integrimit rajonal

Me ftesë të Kryetares së Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Irène Kälin, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, zhvilloi një vizitë zyrtare në Zvicër.
Në takimin me Kryeparlamentaren Kälin mori pjesë edhe Ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Ilir Gjoni.

Nikolla vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë midis parlamenteve të dy vendeve dhe nënvizoi se forcimi i bashkëpunimit parlamentar shërben si nxites i marrëdhënieve midis dy vendeve e dy popujve tanë.

Gjatë takimit u diskutua mbi vazhdimin e bashkëpunimit të sukseshëm parlamentar e dypalësh në mbështetjen e reformave, konsolidimin e institucioneve demokratike, përmirësimin e sistemit shendetësor, fuqizimin dhe modernizimin e arsimit profesional, bashkepunimin ne fushen e sigurimeve shoqërore, energjisë, turizmit etj.
Kryetarja Nikolla shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Zvicrës në modernizimin e shërbimeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë.

Ky bashkëpunim do të vazhdojë në mbështetjen e Kuvendit për llogaridhënien, kontrollin dhe etikën parlamentare dhe modernizimin e shërbimeve të Kuvendit.
U diskutua gjithashtu mbi forcimin e diplomacisë parlamentare dhe bashkërendimin e qëndrimeve të dy parlamenteve në organizatat ndërkombëtare.
Duke falenderuar homologen Kälin për mbështetjen e vendosur të Zvicrës për Kosovën, Kryeparlamentarja Nikolla kërkoi që kjo mbështetje të vazhdojë dhe Zvicra të mbështesë anetaresimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kryeparlamentaret Nikolla dhe Kälin diskutuan edhe për mbështetjen e autoriteteve zvicerane ndaj komunitetit shqiptar për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës dhe integrimin dinjitoz në shoqërinë zvicerane dhe nënvizuan se komuniteti shqiptar në Zvicër shërben si urëndërtues i miqësisë midis Zvicrës dhe Shqipërisë e Kosovës. Kuvendi i Shqipërisë po mbështet komunitetet shqiptare jashtë vendit dhe lehtësimin e nxitjen e kontributeve të tyre për zhvillimin e Shqipërisë.

Kryetarja Nikolla informoi bashkëbiseduesit zviceranë se Shqipëria vazhdon të përmbushë të gjitha kushtet përpara takimit të parë të Konferencës Ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit dhe i ka realizuar të gjitha detyrat në lidhje me reformën zgjedhore, reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformat në lidhje me të drejtat themelore, mbrojtjen e pakicave apo reformën e administratës publike.

Kryetarja Nikolla e ftoi Kryetaren Kälin për një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë, vizitë e cila do të realizohet në një kohë të afërt.

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Irène Kälin, vlerësoi shumë të suksesshëm bashkëpunimin dypalësh dhe atë parlamentar dhe nënvizoi se ky bashkëpunim do të vijojë të forcohet sepse Kuvendi i Shqipërisë është një partner i rëndësishëm i Këshillit Kombëtar të Zvicrës.
Kalin përgëzoi Kryetaren Nikolla për rolin e Shqipërisë si një lider i integrimit rajonal në Ballkanin Perëndimor si edhe për kontributin e Kuvendit në avancimin e reformave demokratizuese dhe integruese dhe vuri në dukje se Zvicra do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Shqipërisë dhe Këshilli Kombëtar në mbështetje të Kuvendit për progresin e mëtejshëm të zhvillimit, demokratizimit, reformave dhe integrimit evropian të Shqipërisë. Gjithashtu, Zvicra do të bashkëpunojë me Shqipërinë, për të mësuar nga përvoja e Shqipërisë si anëtareve jo e përhershme e KS të OKB-së, ku Zvicra sapo është votuar për vitet 2023-2024.

Nikolla, e shoqëruar nga Ambasadori Ilir Gjoni dhe anëtarët e delegacionit, ndoqi një seancë plenare të Këshillit Kombëtar, ku u mirëprit dhe u përshëndet ngrohtësisht nga deputetët.

SHKARKO APP