Liqeni i Seferanit, pasqyrë e natyrës dhe kujtesës në zemër të Belshit, ku na çon adhurimi ynë i të bukurës
Në një gropë të qetë karstike, të rrethuar nga kodra të buta e gjelbërim i dendur, ndodhet Liqeni i Seferanit, një nga margaritarët më të çmuar të natyrës shqiptare dhe një nga destinacionet më të vizituara të Belshit, në qarkun e Elbasanit. Ky liqen, me një sipërfaqe prej rreth 87.5 hektarësh, është më shumë se një ujëmbledhës – është një frymëmarrje e gjerë e peizazhit, një pasqyrë e natyrës që mbart në sipërfaqe qetësinë dhe në thellësi kujtesën.
I vendosur në fshatin me të njëjtin emër, Liqeni i Seferanit është pjesë e mozaikut të 84 liqeneve që përbëjnë një nga mrekullitë më pak të njohura, por gjithnjë e më të çmuara të Shqipërisë së Mesme. Të formuar kryesisht nga procese karstike, këto ujëra të qetë, herë të shtrirë në forma ovale e herë si rrathë të braktisur prej malit, ofrojnë një biodiversitet të jashtëzakonshëm, sidomos në stinët e pranverës dhe vjeshtës, kur ngjyrat e florës shpërthejnë në një koreografi të mahnitshme të natyrës.
Në brigjet e Seferanit, vizitorët gjejnë një vend për qetësi dhe rigjenerim. Rrugicat për ecje përgjatë liqenit janë të mbushura me aromën e bimësisë vendase dhe tingujt e zogjve u japin ngjyrë përjetimeve. Zambakët e bardhë e të verdhë zbukurojnë sipërfaqen e ujit dhe krijojnë një atmosferë poetike që të bën të ndalosh, të soditësh, të mendosh. Zambaku i verdhë, një specie karakteristike për këto liqene, është bërë tashmë një emblemë e kësaj zone – një shenjë e veçantë që natyra e ka zgjedhur për ta veçuar këtë vend.
Por Liqeni i Seferanit nuk është vetëm natyrë – është dhe histori, besim dhe rrëfim mitik. Në lashtësi, në perëndim të qytezës, mbi ujërat e këtij liqeni ndodhej një faltore kushtuar perëndeshës Afërditë, ku banorët e zonës, të frymëzuar nga kulti i bukurisë dhe dashurisë, hedhnin enë terrakote dhe objekte votive në ujë si një akt devotshmërie hyjnore. Ky ritual pagano-ritualistik dëshmon për një ndërthurje të rrallë midis natyrës dhe shpirtit njerëzor, që e ka ruajtur këtë vend si një hapësirë sakrale.
Në dekadat e fundit, falë përmirësimit të infrastrukturës rrugore, promovimit të turizmit të qëndrueshëm dhe vëmendjes ndaj zonave të mbrojtura, Belshi po kthehet në një nga destinacionet më të kërkuara për turizmin natyror dhe rural në Shqipëri. Liqenet e tij – mes tyre ai i Merhojës, Cestijes, Degës dhe, mbi të gjithë, Seferani – tërheqin jo vetëm dashamirës të natyrës, por edhe studiues, biologë, arkeologë e fotografë, të cilët gjejnë këtu një laborator të gjallë të biodiversitetit dhe një muze të hapur të jetës së hershme njerëzore.
Belshi i rilindur, i rigjeneruar në frymë e pamje, është sot një model i harmonisë mes natyrës dhe njeriut. Qyteti dhe rrethinat e tij nuk ofrojnë vetëm peizazhe për syun dhe pushime për trupin, por edhe përjetime për shpirtin. Në çdo stinë, por veçanërisht në pranverë dhe në vjeshtë, kur ngjyrat krijojnë emocione që nuk kapen dot nga aparati por vetëm nga ndjeshmëria, kjo zonë bëhet një fletë e hapur e bukurisë që të bën për vete, pa zhurmë, pa nxitim, por me thellësi.
AV
KOHA JONË SONDAZH

