Majlind Lazimi: Posta Shqiptare 2.5 milion dollarë fitim në vitin 2014

Posta Shqiptare ka organizuar sot  konferencën për analizën vjetore të performancës për vitin 2014. Gjatë konferencës, Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi, bëri publike shifrat financiare për vitin 2014, të cilat janë mjaft pozitive krahasuar me 2013, kur Posta Shqiptare regjistrohej me humbje. 2.5 milion dollarë ose 301 milion leke të reja është fitimi i kompanisë për vitin 2014, me një realizim prej 110% të planit financiar.

Shërbimet financiare e bankare përbëjnë pjesën më të madhe të të ardhurave të Postës Shqiptare, me 51%, ndërkohë që 49% të të ardhura vijnë nga shërbimet postare apo shërbime të tjera që kompania ofron në zyrat e saj. Një nga pikat më të forta të kësaj kompanie mbetet rrjeti i madh i zyrave postare në të gjithë territorin e vendit,  ç’ka lejon që të jetë më pranë komunitetit edhe në zonat më të thella.

Gjatë fjalës se tij, z. Lazimi shprehu domosdoshmërinë për modernizimin e shërbimeve në mënyrë që Posta Shqiptare të jetë sa me konkurruese në një treg që sa vjen e liberalizohet. Ai tha se pjesë e këtij modernizimi është edhe dixhitalizimi i sistemeve manaxhuese të burimeve njerëzore, logjistikes apo shërbimeve të ndryshme që ofrohen në zyrat postare, duke mos nguruar të shprehë edhe ambiciet afatgjata të kompanisë për t’u kthyer në një Poste Banke duke ju referuar modeleve të disa vendeve të zhvilluara të cilat e kanë aplikuar me sukses. Një objektivë me rëndësi për vitin 2015 sipas z. Lazimi është edhe rikonstruksioni i disa zyrave postare në të gjithë vendin të cilat janë amortizuar dhe duhen kthyer në kushte optimale pune dhe shërbimi.

Duke falënderuar punonjësit e kompanisë që kanë punuar me ndershmëri e përkushtim, Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare nuk nguroi të bënte publik edhe lajmin optimist për 2230 punonjësit e Postës Shqiptare duke njoftuar rritjen e pagave të tyre me 10% si edhe futjen e sistemit të bonuseve, gjë e cila do të bëhet e mundur nga prilli 2015. Nga ana tjetër ai shtoi se në Postën Shqiptare nuk ka vend për ata që abuzojnë dhe asnjë rast i tilllë nuk do të tolerohet.

Në konferencë morën pjesë edhe  Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, znj.  Milena Harito si dhe  Zv.Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Brunilda Paskali. Ministrja Harito  përgëzoi Drejtorin e Përgjithshëm të Postës Shqiptare për rezultatet e arritura. “Rezultatet e vitit 2014 janë shumë inkurajuese, sepse  tregojnë një fitim neto të konsiderueshëm, dhe kjo është për tu vlerësuar”, deklaroi Harito gjatë fjalës përshëndetëse ne analizën vjetorë të Postës Shqiptare. Ndërsa, Zv. Ministrja Paskali gjatë fjalës së saj theksoi se: “Gjatë vitit 2014 Posta Shqiptare është zgjeruar duke ofruar një sërë shërbimesh për konsumatorin, dhe besoj që ky zgjerim shërbimesh do të vazhdojnë edhe në vitet në vazhdim, për ta bërë postën Shqiptare, një nga shtyllat e mbështetjes së shërbimeve ndaj konsumatorit”. 

SHKARKO APP