
Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në komisionin parlamentar të Ligjeve planin e ri për pensionet në Shqipëri, ku njoftoi dy ndryshime që nisin në janar dhe prill 2027.
Indeksimi afrohet në prill 2027
Sipas Malajt, indeksimi i pensioneve do të afrohet në prillin e 2027, nga korriku që është aktualisht, me një fond shtesë të parashikuar prej rreth 1,35 miliardë lekësh. Kjo politikë, sipas tij, i kushton buxhetit të shtetit 4 miliardë lekë në total.
Bonusi mujor dyfishohet
Ndryshimi i dytë parashikon dyfishimin e vlerës së bonusit mujor për pensionistët sipas kategorive të përcaktuara, duke filluar nga 1 janari 2027, me një kosto totale të parashikuar prej 20 miliardë lekësh në vit.
Kostoja totale për vitin 2027
Malaj tha se këto dy politika për pensionistët kanë një kosto totale në buxhetin e shtetit për vitin 2027 prej rreth 24 miliardë lekësh, ose 250 milionë euro. Sipas tij, plani synon rritjen e të ardhurave të pensionistëve dhe, mbi të gjitha, përmirësimin gradual të standardit të tyre të jetesës.
“Për ne, kjo mbështetje nuk është thjesht një zë në buxhet, por një angazhim për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të një kategorie që meriton më shumë vëmendje dhe siguri ekonomike”, tha Malaj.