Manastirliu në Elbasan: Paketë e re e mjeteve didaktike në shkolla, rritje page për mësuesit
“Nxënësit të cilët kanë filluar gjimnazin dhe janë në vitin e parë, por që vlerësojnë së bashku me prindërit dhe mësuesit se duhet të studiojnë në arsimin profesional, do të mund të transferohen në arsimin profesional”.
Kështu është shprehur ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, gjatë turit të dëgjesave me mësuesit e shkollave 9-vjeçare në qytetin e Elbasanit, teksa ka njoftuar fillimin e një fushate intesive komunikimi në shkolla për nxitjen dhe orientimin e të rinjve drejt arsimit profesional.
Nga shkolla 9-vjeçare “Bardhyl Popa” në Elbasan, Manastirliu nënvizoi rëndësinë e pajisjes të të gjitha shkollave me një paketë të unifikuar me mjete didaktike. ”Ne duhet të kemi një paketë të mjeteve didaktike e cila të jetë në çdo shkollë në fillim të vitit dhe të mund të replikohet për lëndë të veçanta, ku është nevoja që eksperimentet të kryhen në grupe”,-tha Manastirliu.
Gjatë bashkëbisedimit në ditën botërore të mësuesve, Manastirliu foli për mbështetjen e qeverisë me rritjen e pagave. “Edhe në 2024 jemi duke përgatitur që, në kuadër të reformës sonë për rritjen e pagave, mësuesit t’i jepet mbështetja e merituar”– tha ministrja e Arsimit dhe Sportit, teksa ka shprehur mbështetjen edhe për trajnimin në vazhdim dhe rritjen profesionale të mësuesve.
Mësuesit e shkollave 9-vjeçare në Elbasan në takim me ministren sugjeruan zgjerimin e bazës didaktike në shkolla, rritjen e aksesit në teknologji për përdorimin e programit SMIP, zgjerimin e ambienteve sportive dhe palestrave për zhvillimin e edukimit fizik dhe mbështetjen e tyre për rritjen e pagave dhe rritjen profesionale nëpërmjet trajnimeve.