Marini i vogël fiton betejën, Manastirliu: 26,147 përfitues të bonusit të bebes
26,147 fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes, mbështetjen financiare të qeverisë për çdo të porsalindur, që nga janari 2019. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau edhe historinë e Marinit, një foshnje që ja doli të fitojë betejën e jetës, falë kujdesit të ekipit mjekësor të Maternitetit ”Koço Gliozheni”. Ka qenë një betejë e vështirë për Marinin e vogël, që erdhi në jetë vetëm 1100 gram. Pas 69 ditësh në reanimacion, falë punës dhe përkushtimit të ekipit mjekësor dhe infermieror të maternitetit ”Koço Gliozheni” në Tiranë, djali aq shumë i dëshiruar për familjen Mullameti, është kthyer në shtëpi”. Marini është fëmija i 26,147 që ka përfituar bonusin e bebes, mbështetjen financiare të qeverisë për çdo të porsalindur.
Bonusi i bebes, shpërblimi financiar që mbështet familjet e reja, do të jetë pjesë e ligjit të ri të asistencës sociale. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastrliu, tha se politika e re sociale e Qeverisë që mbështet familjet e reja, me pagesën universal të Bonusit të Bebes, jepet për çdo familje, pavarësisht statusit social-ekonomik. ”Pagesa për lindjen e fëmijës së parë është 40 mijë lekë; për fëmijën e dytë 80 mijë lekë; për fëmijën e tretë, të katërt e në vijim bonusi i bebes është 120 mijë lekë për çdo fëmijë; për nënat që lindin binjakë masa e përfimit do të jetë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë lekë) për secilin fëmijë; për nënat që lindin trinjakë dhe më shumë, masa e përfimit do të jetë në masën 120 000 (njëqind e njëzetë mijë lekë) për secilin fëmijë”.
Kjo politikë e re sociale e ndërmarrë tani, sipas kryeministrit Edi Rama nuk u realizua, sepse ”hapëm një thes që e mbanim mbyllur por sepse gjithë reformat, përpjekjet e sakrificat kanë krijuar disa mundësi të reja. Kjo është sfida në fund të ditës”, ka thënë Rama më herët. Shtëpia e përbashkët e shtetit, sipas tij, është njësoj si shtëpia e secilit. Kryeministri iu përgjigj edhe atyre që ngrenë pretendimin se përse ky bonus nuk bëhet si në Gjermani, ku fondi shpërndahet për fëmijët deri në moshën 18-vjeçare. ”Gjermania për çdo fëmijë të porsalindur nuk paguan vetëm vitin e parë por paguan shumë vite më tepër. Ne nuk jemi Gjermania, ndaj s’e bëjmë dot aq sa Gjermania por e bëjmë si Gjermania dhe vende të tjera që e shpërndajnë këtë bonus”.