Marshimi për kancerin e gjirit, Veliaj-Lu iu bashkuan qytetarëve

 

Marshimit ndërgjegjësues në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër kancerit të gjirit iu bashkua sot edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pasi falenderoi pjesëmarrësit që morën pjesë në këtë marshim simbolik, theksoi nevojën për sensibilizimin e të gjitha vajzave dhe nënave për kthimin në rutinë të kontrolleve mjekësore. “Ne besojmë se aseti numër një i qytetit nuk janë ndërtesat dhe rrugët, por njerëzit. Njerëzit e shëndetshëm dhe që jetojnë një jetë të shëndetshme janë në fakt “paja” që trashëgon qyteti ynë nga një brez në tjetrin. Si shumë gjëra që i bëjmë në mënyrë rutinore, ashtu duhet të jetë edhe kontrolli i shëndetit”, tha Veliaj.

Ai ka kërkuar që kontrollet mjekësore duhet të kthehen në një moto për të gjitha gratë dhe vajzat, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të parandalohen rastet e kancerit të gjirit. “Kjo është mënyra më e mirë për të qenë të shëndetshëm, mjafton vetëm pak kohë dhe informacion për të parandaluar këtë sëmundje”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Ai vuri theksin se aktivitete të tilla, por edhe gjithë shoqëria, duhet të shfrytëzojë çdo mjet për të ndërgjegjësuar kryerjen e kontrollit e mamografisë, kryesisht në zonat periferike dhe ato rurale, ku dhe vështirësitë janë më të mëdha.

Veliaj u ka kërkoi institucioneve të shëndetësisë që të shfrytëzojnë ditën e dielë, 18 tetorin, ditën pa makina, për të vënë në dispozicion ambulanca në qendër të qytetit ku gratë mund të kryejnë mamografinë. “Qendra e Tiranës do të kthehet në pedonale, do të mbledhim shumë ndihma për gratë në nevojë dhe ndoshta do të ishte një moment ideal që në Ditën pa Makina edhe ambulancën apo shërbimet e tjera mobile, t’i kishim në qendër të Tiranës, ku çdo grua që do të shëtisë me fëmijët, të shpenzojë 5 minuta për të kryer mamografinë”, përfundoi Veliaj.

Në marshimin e zhvilluar në Liqenin Artificial të Tiranës ishin të pranishëm gjithashtu edhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ambasadorë dhe përfaqësues të shoqërive civile.

SHKARKO APP