Mblidhet Këshilli i Sigurisë Publike në Elbasan: Dizinformimi dhe dhuna digjitale në fokus

Dizinformimi online dhe dhuna digjitale, si dy nga sfidat më të mëdha që prekin sigurinë publike dhe të rinjtë, ishin në fokus të mbledhjes së radhës së Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, të zhvilluar në Bashkinë Elbasan.

Në takim morën pjesë Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, Prefekti i Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, Fatmir Hoxha, Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, Kreshnik Ajazi, përfaqësues të institucioneve vendore, sistemit arsimor, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave.

Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shpreh se sot po trajtohet një sfidë që prek drejtpërdrejt sigurinë, demokracinë dhe besimin e qytetarëve. Ai theksoi se dizinformimi në rrjetet sociale nuk luftohet vetëm me teknologji, por duke fituar besimin e qytetarëve, duke forcuar bashkëpunimin mes institucioneve dhe duke investuar tek të rinjtë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Llatja nënvizoi se Këshilli Vendor i Sigurisë Publike në Elbasan i ka kushtuar një vëmendje të veçantë përfshirjes së të rinjve në çështjet e sigurisë publike, ndërsa trajnimet dhe aktivitetet e zhvilluara gjatë këtij viti kanë dëshmuar rëndësinë e krijimit të hapësirave ku të rinjtë informohen, diskutojnë dhe kontribuojnë në ndërtimin e një kulture qytetare të përgjegjshme. Sipas tij, përgjegjësia e përbashkët mbetet ndërtimi i një komuniteti më të informuar dhe më kritik ndaj dezinformimit dhe lajmeve të rreme.

Swiss Digital Mobile Reklama

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, e vlerësoi Këshillin Vendor të Sigurisë Publike të Elbasanit si një nga më të suksesshmit ndër 61 bashkitë e vendit, falë bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve. Ajo theksoi se ky bashkëpunim ka bërë të mundur parandalimin e një sërë rastesh dhe ndikimesh që mund të cenonin sigurinë e komunitetit. Ruseti shtoi se Bashkia Elbasan përbën një model bashkëpunimi, i cili do të shërbejë si shembull edhe për bashki të tjera, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme është duke hartuar Strategjinë e re të Sigurisë Publike.

Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, Kreshnik Ajazi, u ndal te rëndësia e mbrojtjes së mirëqenies fizike dhe emocionale të të rinjve, veçanërisht në rastet kur ajo cenohet nga dhuna digjitale. Ai theksoi se mbrojtja e të rinjve dhe të miturve, si edhe lufta kundër dhunës me bazë gjinore, mbeten prioritete të rëndësishme të Këshillit të Ministrave.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, Fatmir Hoxha, bëri të ditur se Policia e Elbasanit është e angazhuar në parandalimin e rasteve të dizinformimit, mashtrimeve online dhe fenomeneve të tjera që cenojnë sigurinë në hapësirën digjitale.

Ndërsa drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar Elbasan, Vesa Liço, tha se në 57 shkollat e Elbasanit, të shpërndara në zonat urbane dhe rurale, me rreth 16 mijë nxënës, vihet re se shumë konflikte e kanë zanafillën jashtë mjediseve shkollore.

Gjatë mbledhjes u diskutuan gjithashtu masat e Paketës së Sigurisë në Shkolla për vitin shkollor 2026–2027, si dhe u prezantua aplikacioni “Raporto Tani”, i cili synon të lehtësojë raportimin e rasteve problematike dhe të forcojë ndërhyrjen e hershme për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve.

Në përfundim të mbledhjes u ritheksua angazhimi për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zbatimin e rekomandimeve të dala nga diskutimet. Bashkia Elbasan, përmes Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, vijon prej vitesh të organizojë takime periodike mbi tema që lidhen me sigurinë publike, mbrojtjen e të rinjve, parandalimin e fenomeneve sociale dhe forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve. Këto tryeza kanë shndërruar Këshillin Vendor të Sigurisë Publike të Elbasanit në një model suksesi në nivel kombëtar, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e një komuniteti më të sigurt, më të informuar dhe më të përgjegjshëm.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?