Mblidhet Komiteti i Imunizimit për lijën e majmunit, Manastirliu: Ka nisur zbatimi i planit të masave, vendi ynë me risk të ulët

Është mbledhur këtë mëngjes Komiteti Kombëtar Teknik- Këshillues i Imunizmit në Institutin e Shëndetit Publik, për masat paraprake për virusin e lisë së majmunit.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ku foli për planin e masave të shëndetit publik për këtë situatë.

Komiteti i Ekspertëve të Imunizimit ka rekomanduar vaksinën e lisë për kontaktet e afërt dhe personelin shëndetësor, në rast të shfaqjes së rasteve me linë e majmunit.

“Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimt ka marrë vendim, në trajtën e një rekomandimi, për të mundësuar që përsa i përket kontakteve të afërta të rasteve m, të cilat mund të diagnostikohen me linë e majmunit, të mundet të përdoret vaksina e lisë. Një vaksinë, e cila ka një efikasitet, sikurse edhe studimet tregojnë, rreth 85% përsa i përket mbrojtjes nga lia e majmunëve. Vlerësohet nga ekspertët tanë që do të jetë një sasi, e cila për këtë fazë do t’i dedikohet kontakteve shumë të afërta apo edhe personelit mjekësor, që mund të jenë në përballje këtë sëmundje”, tha Manastirliu.

Në kuadër të masave të marra, Manastirliu tha po bëhen përgatitjet për diagnostikimin e lisë së majmunit në laboratorin e ISHP, ndërkohë që bëri me dije se aktualisht po bashkëpunohet me laboratorët e referencës.

“Ne jemi duke u përgatitur me Institutin e Shëndetit Publik që, nëpërmjet metodës PCR, të mund të kemi edhe në Shqipëri pikërisht mostrat primer, të cilat mund të evidentojnë edhe në vendin tonë, në këtë laborator të ISHP-së, diagnostikimin e lisë së majmunit. Aktualisht ne jemi duke bashkëpunuar me laboratorët e referencës në Londër dhe në Holandë, për të pasur mundësinë që mostrat të cilat mund të jenë të dyshuara, të mundet të referohen menjëherë, ashtu sikurse bëjmë edhe me rastet e ndryshme të varianteve të Covid19”, bëri me dije Manastirliu.

Edhe pse Shqipëria është një vend me risk të ulët përsa i përket lisë së majmunit, Manastirliu theksoi se ka një survejancë të shtuar aktive.

SHKARKO APP