Mbrojtja e të Dhënave, Besnik Dervishi: Media të respektojë Kodin e Etikës
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në datat 29 dhe 30 shtator, organizon në bashkëpunim me Instrumentin e Asistencës Teknike për Shkëmbimin e Informacionit të Bashkimit Evropian (TAIEX), “Seminarin mbi Median dhe Përputhshmërinë me Parimet e Mbrojtjes së të Dhënave”. Në këtë aktivitet referojnë disa ekspertëve të mirënjohur ndërkombëtarë në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe medias nga Britania, Gjermania, Sllovenia dhe Lituania; si dhe ekspertë vendas.
Pjesëmarrës në Seminar ishin përfaqësues të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë; institucioneve të ndryshme vendase e të huaja; organizatave të shoqërisë civile; gazetarë nga mediat audiovizive, të shkruara dhe portaleve online; si edhe zëdhënës të Autoriteteve Publike. Ky aktivitet synon të informojë aktorët e sektorit publik dhe atij privat mbi normat ligjore dhe standardet e Bashkimit Evropian, kombinuar me një vështrim të përgjithshëm të kuadrit ligjor dhe praktikave kombëtare, në lidhje me përpunimin e të dhënave personale nga mediat. Seminarin e përshëndetën edhe përfaqësues të Komisionit parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik; z. Gentian Sala, Kryetar i Autoritetet të Mediave Audiovizive; si dhe z. Stephen Stork, përfaqësuesi i Zyrës së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.
Në dy ditë të Seminarit trajtohen disa çështje me interes për mediat, të tilla si:
korniza ligjore për mbrojtjen e të dhënave në lidhje me gazetarinë në Shqipëri dhe në BE;
rëndësia e Kodit të Etikës në media, integriteti profesional dhe gazetaria investigative;
përparësitë dhe sfidat për ruajtjen e balancës mes gazetarisë së mirë dhe privatësisë së individit në komunitet;
balancimin e të drejtës për privatësi dhe shkatërrimit të informacionit me interes publik;
respektimin e të dhënave personale dhe privatësisë në Epokën Digjitale (duke përfshirë edhe median digjitale);
përdorimin e kamerave të fshehta për qëllime të gazetarisë investigative;
trajtimin e rasteve konkrete të shkeljes së privatësisë dhe në veçanti, mbrojtja e të dhënave personale e të miturve.
Fjala e z. Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Seminarin “Media dhe Përputhshmëria me Parimet e Mbrojtjes së të Dhënave”
Në cilësinë e mikpritësit, është kënaqësi për mua t’ju shpreh mirëseardhjen në këtë Seminar të bashkëorganizuar me TAIEX – Instrumentin e Asistencës Teknike për Shkëmbimin e Informacionit të Bashkimit Evropian.
Gjej rastin të falenderoj TAIEX, që e materializoi gatishmërinë duke e përkrahur menjëherë këtë inciativë të Zyrës së Komisionerit. Në të njëjtën kohë prania e ekspertëve të shquar, është tregues i këtij bashkëpunimi. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale e ka vlerësuar gjithnjë të rëndësishëm raportin e bashkëpunimit të ndërsjelltë me median. Është një marrëdhënie në funksion të informimit dhe ndërgjegjësimit të publikut, por nga ana tjetër edhe për të respektuar në mënyrë të balancuar privatësinë e cilitdo.
Vlerësoj se ky Seminar mund të shfrytëzohet si një tribunë e përshtatshme për t’i adresuar problematikat në këtë fushë. Gjithashtu, dua të nxis rritjen e besimit tek transparenca e autoriteteve publike, si një kusht themelor për të luftuar me efikasitet korrupsionin. Mbrojtja e të dhënave personale dhe e drejta për informim, e lidhur shumë ngushtë me lirinë e shprehjes, nuk mund të jenë detyrime për t’u përmbushur vetëm nga Zyra e Komisionerit. Ky është një rrugëtim i përbashkët, për konsolidimin e një shoqërie demokratike e të bazuar mbi sundimin e ligjit.
Besoj, se mund të ndajmë të njëjtin opinion, për një zhvillim paralel mes shoqërisë shqiptare në tërësi dhe medias, në veçanti. Kjo e fundit, si komponent i rëndësishëm i demokracisë, ka reflektuar, ku më shumë e më pak, aspektet pozitive dhe negative të zhvillimit shoqëror shqiptar. Zyra e Komisionerit dhe AMA kanë një Marrëveshje Bashkëpunimi mes tyre dhe një prej pikave më të rëndësishme të saj, është përmirësimi i Kodit të Etikës në këto drejtime. Respektimi i Kodit të Etikës është i rëndësishëm për çdo media. Ka media që nuk kanë një Kod të tillë, ose edhe nëse e kanë ai duhet përditësuar.
Vitet e fundit, në Progres-raportin e Komisionit Evropian është theksuar si një nga problemet më shqetësuese mos respektimi i privatësisë së individit nga media, keqpërdorimi i të dhënave personale. Në këtë Seminar do të trajtohen edhe disa raste konkrete që Zyra e Komisionerit i ka hetuar dhe për të cilat është mbajtur një qëndrim i caktuar. Ju ftoj, që në rradhë të parë si qytetarë, të respektojmë të drejtat tona themelore, të sanksionuara në Kushtetutë dhe pastaj, si profesionistë të bëjmë balancën mes informimit të opinionit publik dhe jetës private.
Zyra e Komisionerit nuk e ka ndalur asnjë herë procesin e përfitimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira. Ndaj mirëpresim çdo propozim që do t’i shërbente përmirësimit të kuadrit rregullator e më gjerë.
KOHA JONË SONDAZH

