Mendja e Ramës dhe koka e Koços

 

 

Debatet mes deputetëve socialistë dhe “superdeputetit” ose “kryeministrit të Jugut”  Koço Kokëdhima kanë shkaktuar jo pak pështjellime në selinë rozë. Të shtunën e kaluar deputeti që është caktuar si Komisar Politik për Jugun e vendit dhe që njihet si personi me më shumë ndikim tek Kryeministri Edi Rama propozoi shtyrjen e Kongresit të planifikuar për t’u mbajtur në muajin janar. Kjo kërkesë është kundërshtuar nga kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi, deputeti Fatmir Toçi dhe deputetja Valentina Leksaj. Zhvillimi i kongresit është vendosur nga Asambleja Kombëtare e PS-së në muajin gusht. Sipas Ruçit dhe deputetëve të tjerë vendimi për ndryshimin e datës mund të merret vetëm nga Asambleja dhe jo nga dëshira e ndonjë deputeti të caktuar. Në këtë sherr, ku deputetët i janë drejtuar njëri-tjetrit me shprehjet “të kesh turp”, “parazit”, etj, i vetmi që nuk ka ndërhyrë ka qenë kryeministri Edi Rama.

Debatet e publikuara në media tregojnë se mes deputetëve dhe Koço Kokëdhimës ka munguar dhe etika e diskutimit, gjë që do të thotë se problemet kanë arritur në pikën ku nuk mban më. Përveç Ruçit, Leskajt dhe Toçit, dje kundër idesë së shprehur nga deputeti Kokëdhima kanë dalë dhe deputetët Erjon Braçe e Bashkim Fino. Edhe Saimir Tahiri kundër tij. Edhe pse këta të fundit nuk kanë dashur të përmendin emrin e Kokëdhimës, mesazhi ka qenë i qartë: askush veç forumeve të PS-së, nuk mund ta ndryshojë datën e mbajtjes së Kongresit.

Çështja e Kongresit dhe datës së zhvillimit të tij është një debat procedural pa shumë rëndësi. E vërteta e sherrit të nisur ditën e shtunë e që vazhdon në distancë ka të bëjë me atë çfarë përfaqëson sot Koço Kokëdhima në Partinë Socialiste. Biznesmeni që prej dy vitesh është futur në Partinë Socialiste cilësohet sot si krahu i djathtë i kryeministrit Edi Rama. Bile ka kaq shumë pushtet mbi Kryeministrin sa habitet çdo socialist në kupolën e selisë rozë. Kaq shumë ndikim ka Koço sa ndonjëherë ka marrë përsipër të bëjë edhe deklarata që kanë qenë më të guximshme e larg linjës së ndjekur nga kryeministri Edi Rama. Është njeriu që lobon prej dy vitesh për legalizimin e hashashit, ndërkohë që prej dy vitesh Rama dhe Saimir Tahiri deklarojnë se i kanë shpallur luftë frontale kultivimit të tij. Është negociatori i sherreve mes koalicionit dhe deputeti që merr përsipër të qetësojë sherret mes Ramës dhe Metës. Por, pakënaqësitë më të mëdha në grupin parlamentar të PS-së i ka krijuar me ndikimin dhe administrimin që po i bën pushtetit politik të jugut. Sipas deputetëve të majtë emërimet politike në qytetet kryesore Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, Tepelenë dhe Përmet janë ekskluzivitet i tij. Ndërkohë, që për një pjesë të deputetëve të PS-së, interesat e biznesit të tij janë edhe në investimet e kryera tek disa prej projekteve kryesore në këto zona. Nga ana tjetër, ndërrimet e drejtuesve lokalë të PS-së duke pasur vetëm miratimin e deputetit Kokëdhima kanë bërë që të ndryshojë kompozimi i strukturave duke krijuar varësi nga deputeti dhe jo nga forumet e mëparshme. Thënë ndryshe, strukturat e PS-së po ndryshojnë sipas modelit të Kokëdhimës, duke lënë në hije deputetët e tjerë të zonave të Jugut, çka ka sjellë dhe reagimin e këtyre të fundit. Edhe kryqëzimin e ish-kryebashkiakut të Vlorës Shpetim Gjika duket se e nisi Koço. Me lejen apo pa lejen e Ramës mbetet e vështirë të thuhet tashmë, por Koçoja e ka shenjestruar.

Investimi i Kokëdhimës në Partinë Socialiste i ka kushtuar jo pak kësaj force politike, thonë në PS. Në vitin e parë të qeverisjes, akuzat kryesore të PD-së ishin ndaj tij, derisa kërkuan dhe heqjen e mandatit për shkak të fondeve shtetërore që sipas opozitës kanë kaluar në bizneset e tij. Nga ana tjetër, çështja e ndërtimeve pa leje ka qenë një problem i përhershëm në zonën ku Kokëdhima është zgjedhur deputet, duke bërë që mazhoranca të veprojë me dy standarde për prishjen e tyre. Por veç kësaj, deputeti Kokëdhima po sjell kosto edhe për vetë funksionimin e brendshëm të Partisë Socialiste. Ndikimi i tij në struktura ka bërë që në Jug të vendit, pavarësisht se çfarë vendosin forumet e partisë, përfshirë Gramoz Ruçin etj, në fund bëhet siç vendos Kokëdhima. Por mundet që kjo sjellje e tij të krijojë tjetër frymë pune në PS, e cila ka nevojë ti përshtatet ideve të Ramës për një PS tjetër më të zhdërvjedhët e pragmatiste, ndryshe nga ajo tradicionalja. Mundet që nuk flet Rama, por vepron Koço!

Ka edhe një gjë që deputetët e sotëm nuk e dijnë: pas kongresit Kokëdhima do të jetë numri dy në PS. Pak a shumë janë ndarë punët në PS-në e ardhshme, Rama kryeministër ekzekutiv, kurse frymëzues ideologjik do të jetë Kokëdhima. Pra një PS me dy koka. Jo krejt si Shqiponja e Flamurit Kombëtar, porse edhe koka e Koços nuk peshon më pak se ajo e Ramës.

Çfarë supërpushteti ka ky Koço mbi Edi Ramën ! Me shumë se 1 milion votat e 23 qershorit 2013 peshon Koço, sot në Selinë rozë.

 

A.    Prulli

SHKARKO APP