Mesazhi i Hajrije Rondos: “Jeta është e bukur”, si dhe dy fjalë për muajin kundër kancerit

Aktorja e njohur, Hajrije Rondo, e mundi sëmundjen dhe sot është rikthyer teatrit. Këtë muaj, i cili përkon me muajin e sensibilizimit ndaj kancerit të gjirit, Rondo në një rrëfim të shkurtër që ka mundur të japë për “Gazetën Shqiptare”, shprehet se ditët e saj kanë ndryshuar dhe gjithashtu ritmi i së përditshmes nuk është më i njëjti.

“Pranova të merrja pjesë në shfaqje për të motivuar veten dhe për t’i dhënë ngjyra ditës”,- shprehet ajo. Pasioni për teatrin, energjia me të cilën punon në skenë, e drita që përçon, të bëjnë ta kesh shembull. “Tani që premiera doli, unë ndihem shumë më mirë, jam më e çliruar. Vërtet u lodha, por them se ia dola. Pjesëmarrja në shfaqjen ‘Tre dhëndurët’ erdhi shumë bukur, në momente kur unë bashkëjetoja e trishtuar me sëmundjen”,- thotë aktorja e njohur.

Ajo ka marrë krahë dhe zemër nga urimet dhe nga duartrokitjet gjatë shfaqjes, ku publiku u ngrit në këmbë ta duartrokiste, aktorja u përlot dhe u përul me mirënjohje, me ç’rast, ajo jep edhe një mesazh.

“Pas premierës mora urime dhe inkurajime nga spektatorët që e ndoqën shfaqjen. Është kurajë e madhe që unë të ngjitem sërish në skenë, dhe kontributi im kësaj here në skenë përkoi me muajin e luftës kundër kancerit të gjirit, ndaj dhe uroj që kjo dalje të shërbejë si mesazh: se jeta duhet jetuar sepse është e bukur”,- thotë Hajrije Rondo.

SHKARKO APP