Minatori 40-vjeçar dyshohet i bllokuar në galeri, kërkimet vijojnë në Bulqizë

Vijon operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e minatorit 40-vjeçar Ilir Koloveri, i cili dyshohet se ka mbetur i bllokuar dhe mund të ketë humbur jetën në një galeri të minierës në zonën e Tërnovës së Madhe, në Njësinë Administrative Zerqan të Bashkisë Bulqizë.

Ekipet e shpëtimit, specialistët e minierës dhe strukturat përgjegjëse kanë punuar gjatë gjithë natës dhe kanë vijuar ndërhyrjen edhe në orët e mëngjesit, me qëllim lokalizimin dhe nxjerrjen e minatorit nga galeria.

Sipas të dhënave paraprake, 40-vjeçari dyshohet se është bllokuar pas një shembjeje të konsiderueshme të materialit minerar. Operacioni po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të rrezikut për shembje të tjera dhe sasisë së madhe të dherave e gurëve që pengojnë lëvizjen e ekipeve të shpëtimit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te rreziqet me të cilat përballen minatorët në Bulqizë. Në vitin 2021, një tjetër aksident i rëndë në një galeri të Zonës së Parë solli humbjen e jetës së minatorit Muharrem Plaku, pas një operacioni të gjatë kërkim-shpëtimi.

Swiss Digital Mobile Reklama

Autoritetet bëjnë me dije se kërkimet do të vijojnë pa ndërprerje deri në përfundimin e operacionit, ndërsa informacionet zyrtare do të bëhen publike në varësi të zhvillimeve.

Aksidentet e përsëritura në minierat e Bulqizës vijojnë të ngrenë shqetësime për sigurinë në punë dhe nevojën për masa më të forta parandaluese në sektorin minerar.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?