Ministeriali i arsimit të lartë, Manastirliu: Inteligjenca artificiale në universitete, të rishikojmë programet

Në mbyllje të mandatit 4-vjeçar të drejtimit të zonës europiane të arsimit të lartë, Shqipëria organizoi Ministerialin dyditor në Tiranë, me 47 vendet pjesëmarrëse në procesin e Bolonjës.

Teksa i dorëzoi stafetën Rumanisë dhe Moldavisë, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu njoftoi dakordësimin për një komunikatë të përbashkët për prioritetet në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor për vitet e ardhshme.

“Është vendosur theksi në përdorimin e inteligjencës artificiale në mësimdhënie dhe mësimnxënie, duke u bazuar në parimet më të mira ekzistuese të përdorimit të teknologjisë. Për të rritur edhe dinamizmin për atë që kërkon sot koha, që ka lidhje me rishikimin e programeve, me përgjigjen e programeve të studimit në raport me kërkesat e tregut të punës”, tha Ogerta Manastirliu, ministrja e arsimit.

Në strategjinë e arsimit synohet që të arrihet akreditimi ndërkombëtar i universiteteve shqiptare, si dhe po bëhen përpjekje që njohja e diplomave shqiptare të zgjerohet në tregun europian, përtej programeve profesionalë në Ballkanin Perëndimor.

“Në mënyrë që të shkojmë në njohjen automatike të kualifikimeve, që edhe deklarata e përmend, është partneriteti i qëndrueshëm dhe besimi që duhet të krijojmë reciprokisht që programet e studimit që ne kemi janë në të njëjtin nivel me atë që universitetet në Europë prodhojnë”, u shpreh ministrja.

SHKARKO APP