Ministri Brendshëm, Çuçi: Mos ta provojë njeri të bëjë ndërtime pa leje!
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka folur lidhur me operacionin “Bregdeti Ynë” kundër ndërtimeve pa leje në zonat e plazhit.
Çuçi ka dhënë shifrat e këtij operacioni kombëtar dhe ka thënë se deri më tani janë gjobitur nga IKMT 44 subjekte dhe janë vendosur 67 milionë lekë të reja gjoba.
Në fjalën e tij, Çuçi është shprehur se “të mos guxojë më njeri të ndërtojë pa leje e të zaptojë sheshe e prona”.
“Që prej nisjes së operacionit dhe deri më sot Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit krahas shembjes së ndërtimeve pa leje dhe pastrimit të inerteve, ka vendosur 67 milionë lekë gjoba për 44 subjekte. IKMT dhe Policia e Shtetit po vijojnë operacionin sipas planit të punës në ato zona të bregdetit ku janë evidentuar objektet e ngritura në shkelje të ligjit. Po e pastrojmë të gjithë vijën bregdetare nga Velipoja në Ksamil, me bindjen se kjo është rruga e duhur për të mbrojtur këtë pasuri tonën të përbashkët dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Gjej shesh të lirë, zapto e ndërto pa leje, të mos e mendojë më askush”, shprehet ministri Çuçi.
Pjesa më e madhe e subjekteve të gjobitura është në zonën e Ksamilit, më pas vijon me Velipojën e Shëngjinin. Dy ditë më parë IKMT dhe Policia e Shtetit e shtrinë operacionin në Shëngjin. Në ditët e ardhshme do të vazhdohet me zona të tjera të bregdetit sipas hartës me njollat ku janë evidentuar objekte të ngritura pa leje.