Ministri i Bujqësisë: Mbështetje më e madhe për fermerët e bimëve mjekësore
Bimët aromatike dhe mjekësore vijojnë të jenë ndër sektorët me kontributin më të lartë në prodhimin dhe eksportin e produkteve bujqësore shqiptare. Për të nxitur më tej zhvillimin e këtij sektori, qeveria po zgjeron instrumentet financiare në mbështetje të fermerëve dhe sipërmarrjeve bujqësore.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vizitoi në Cërrik fermën e Alban Shulit, një sipërmarrje që ka ndërtuar një zinxhir të integruar, nga kultivimi deri te përpunimi dhe paketimi i produkteve bujqësore, me fokus te bimët aromatike e mjekësore, veçanërisht çaji i malit dhe rigoni, si edhe prodhimi në sera.
Gjatë vizitës u bë e ditur se ferma, e cila operon prej rreth tetë vitesh, ka zgjeruar vazhdimisht aktivitetin e saj, duke konsoliduar praninë në treg dhe duke rritur vlerën e produkteve shqiptare. Investimet e realizuara me mbështetjen e Skemës së Investimeve 2025 janë orientuar drejt rritjes së kapaciteteve prodhuese dhe modernizimit të teknologjisë së përpunimit, me synimin për të rritur konkurrueshmërinë e produkteve “Made in Albania”.
Ministri Salla theksoi se instrumentet e reja financiare të qeverisë synojnë të lehtësojnë aksesin e fermerëve në kredi dhe të nxisin investimet në bujqësi.
“Me Garancinë Sovrane, qeveria mbulon nga 50% deri në 70% të kolateralit, duke krijuar më shumë lehtësi për financimin e sipërmarrjeve bujqësore dhe agropërpunuese”, u shpreh ministri.
Salla vuri në dukje gjithashtu se masa për rimbursimin e faturave tatimore me 10% të TVSH-së përbën një mbështetje të rëndësishme për fermerët, ndërsa programi “Dyfisho Ndërmarrjen Tënde” krijon mundësi të reja financimi për bizneset.
Ai nënvizoi se, për herë të parë, ky program do të shtrihet krahas sektorit të bujqësisë, edhe tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke u ofruar atyre mbështetje më të madhe për zgjerimin e aktivitetit, investimet dhe rritjen e konkurrueshmërisë.
KOHA JONË SONDAZH

