Ministria e Kulturës reagon për qytetin arbëror të Komanit

Ministria e Kulturës ka reaguar pas alarmit të Forumit të Trashëgimisë Kulturore, se qyteti arbëror i Komanit rrezikon të shkatërrohet nga ndërtimi i linjës së Interknjeksionit me Kosovën.

“Opinioni i ekipit të arkeologëve kërkues, u lexua dhe u mor në konsideratë nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë pa u vënë fare në dyshim, ndonëse mungonin drejtuesit e projektit dhe nuk deleguan përfaqsueses të tjerë nga ekipi i tyre.

Vetë KKA përbëhet po aq nga ekspertë të njohur të arkeologjisë dhe nga përgjegjës të institucioneve të përgjegjshëm për çdo vendim që merret.

Zonifikimi i propozuar prej misionit të arkeologëve, – ndonëse nuk ka marrë ende formë ligjore u konsiderua i mirëqenë, pasi aktualisht zona e mbrojtur me ligj, që ne vitin 1963, është vetëm Kalaja e Dalmacës dhe nekropoli- tregon se cila është zona që nuk duhet prekur dhe cila është ajo që me përkufizim lejon ndërhyrje. Ky kufizim u respektua plotësisht dhe në përputhje me ligjin për trashëgiminë.

Nëse misioni i arkeologëve që e kuptojnë shumë mirë se ç’domethënë zonë A dhe zonë B, do ta kishin konsideruar të palejueshme ndërhyrjen në hapësirën ku kalojnë shtyllat, do e kishin shtrirë Zonën A më tej dhe KKA do të kishte gjykuar e vendosur, në përputhje me propozimin e tyre. Përderisa ka ligje, rregulla, përkufizime, kjo do të thotë se duhet të respektohen në vendimmarrje. Kjo është metodologjia që tq gjithq specialistët e fushës e dinë shumë mirë. Institucionet shtetërore nuk mund të vendosin sipas opinioneve që ndryshojnë në lirinë e tyre të respektuar gjithësesi, por në bazë të kufijve dhe hapësirave që u njeh ligji.

Mundësia e një zhvendosjeje edhe nga Zona B, ndonëse e pajustifikuar ligjërisht, u ngrit e u diskutua gjatë në KKA me përfaqsuesit e OST. Ata shpjeguan se :

– po aty kalon edhe linja ekzistuese e tensionit të lartë Koman-Elbasan, prej të cilës duhen ruajtur nga shtylla në shtyllë distancat e sigurisë e të rrezikut që janë të përcaktuara dhe nuk mund të ndryshohen.

– duke qenë se në atë terren është tashmë e hapur traseja për linjën ekzistuese do të shfrytëzohet po kjo trase për linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Ky faktor paraqet interes edhe nga pikëpamja e ruajtjes së trashëgimisë sepse hapja e një traseje të re do të thotë gërmime të reja në terren, çka shmanget në rastin konkret.

– relievi është i tillë që zhvendosjet e linjës bëhen të pamundura në distanca të pranueshme dhe kërkon rishikim total të projektit me rëndësi mbarëkombëtare dhe rajonale, që sjell dy pasoja të mëdha: një kosto shtesë prej qindra mijëra euro nga buxheti i shtetit; dhe vënie në rrezik të marrëdhënieve kontraktuale me qeverinë gjermane që është financuese e këtij projekti me rëndësi strategjike dhe me kosto shumë milionë euro.

GJITHËSESI:

– ju sigurojmë se këto arsye të fundit nuk do ta ndalonin KKA të kërkonte zhvendosje të linjës nëse do të prekej zona A e kërkimeve – e caktuar si e tillë jo nga MK por nga ekipi arkeologëve – ku dhe ka të dhëna të sigurta për gjurmë të qytetërimeve të trashëguara.

– DHE, me kujdesin dhe vëmendjen maksimale për të ruajtur edhe zonën B, KKA ka kërkuar të kryhen sondazhe në bashkëpunim me misionin e arkeologëve, në vendet ku do të hapen gropat për shtyllat që kalojnë në zonën B, duke i ruajtur kështu të drejtën vetes të marrë një vendim të dytë nëse e sheh të nevojshme. Për këtë kemi bashkëpunim edhe me OST”, thuhet ne reagimin e Ministrisë së Kulturës.

SHKARKO APP