Ministria e Mbrojtjes: Zjarri në Krujë vihet nën kontroll, mbi 400 forca në terren gjatë natës
Zjarri që përfshiu malin e Krujës është vënë plotësisht nën kontroll rreth orës 06:00 të mëngjesit, pas një operacioni intensiv të zhvilluar gjatë gjithë natës për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se në zonën e prekur vijon ndërhyrja nga ajri për shuarjen e vatrës së mbetur në majë të malit. Për këtë qëllim janë angazhuar dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Në operacion morën pjesë mbi 200 efektivë zjarrfikës dhe më shumë se 200 pjesëtarë të Forcave të Armatosura, të cilët punuan gjatë natës përgjatë gjithë perimetrit të zonës së përfshirë nga zjarri.
Me përmirësimin e situatës dhe vënien e flakëve nën kontroll, një pjesë e konsiderueshme e forcave është tërhequr dhe rishpërndarë, ndërsa ekipet e mbetura vijojnë monitorimin e zonës.
Nga zjarri është dëmtuar një godinë që përdorej si magazinë nga një biznes. Fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar dhe flakët nuk kanë prekur asnjë banesë.
Autoritetet kanë vijuar mbikëqyrjen e territorit edhe pas izolimit të zjarrit, me qëllim parandalimin e riaktivizimit të vatrave dhe garantimin e sigurisë në zonën përreth.
KOHA JONË SONDAZH

