Ministrja Manastirliu: 1.3 miliardë lekë për rehabilitimin dhe rindërtimin e shkollave me buxhetin 2024

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako inspektuan sot punimet në shkollën “14 Nëntori” në Durrës, një nga shkollat që është pjesë e programit të rindërtimit. Kjo shkollë e re 9-vjeçare, e cila pritet të përfundojë brenda muajit maj të këtij viti, do të garantojë për 700 nxënësit e saj mjedise të rinovuara, laboratorë shkencash dhe kompjuterike, bibliotekë, palestër të re, terrene sportive, falë mbështetjes nga programi i EU4Schools dhe UNDP.

Manastirliu theksoi se investimet në infrastrukturën arsimore janë thelbësore për rritjen e cilësisë në proceset e mësimdhënies dhe zhvillimin e aftësive të nxënësve, ndaj puna do të vijojë me ritëm për të garantuar kushte sa më të mira të shkollave kudo në vend. “Ne, do të vijojmë me intensitet punën për të përfunduar çfarë kemi nisur, por edhe për të hapur kantiere të reja, sepse puna nuk ka përfunduar. Këtu në Durrës, me programin e rindërtimit, por edhe më bashkitë që ka përfshirë programi i rindërtimit, ne do të kemi të përfunduara 45 shkolla për vitin 2022”, tha ajo.

Manastirliu e vuri theksin në angazhimin për t’i përfunduar projektet brenda vitit 2024 dhe u bëri thirrje të gjitha bashkive të vendit që të aplikojnë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve me projektet e tyre për rehabilitimin dhe ndërtimin e shkollave.

“Ne kemi hapur sot thirrjen për bashkitë për ciklin 2024-2025 për projektet për rehabilitimin dhe rindërtimin e shkollave palestrave dhe terreneve sportive. Janë 30 shkolla, që i përfunojmë në bashkitë e vendit me buxhetin 2024, por ndërkohë kemi hapur ciklin e ri të financimit me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, ku presim projektet nga bashkitë që të hapim kantiere të reja pune. Janë në dispozicion të bashkive dhe projekteve që ata do të sjellin rreth 1.3 miliardë lekë, të cilat do të shërbejnë për modernizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës shkollore. Jemi duke bashkëpunuar me bashkitë që në periudhën e përgatitjes së projekteve, që të kemi në prioritet ato shkolla të cilat kanë nevoja më të mëdha”, deklaroi ministrja Manastirliu.

SHKARKO APP