Ministrja Manastirliu në Kavajë: Investimet në shkolla dhe ambiente sportive, prioritet për 2024

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, ka vijuar turin e dëgjesave publike me mësuesit në shkollën 9- vjeçare “Rilindja” në qytetin e Kavajës. Manastirliu tha se investimet për rindërtimin, rehabilitimin dhe në ambiente sportive në shkolla do të jenë prioritet i buxhetit të ardhshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

“Ne jemi përpara miratimit të buxhetit 2024 dhe fokusi do të jetë tek zgjerimi i investimeve në shkolla, investimeve për sa i përket sportit në shkollë, zgjerimit të terreneve sportive dhe palestrave, materialeve që duhen për ta bërë edhe aspektin sportiv sa më të larmishëm dhe disiplinat e sportit të përfshihen sa më shumë në kurrikulën e edukimit fizik, pra jemi duke punuar në mënyrë paralele për të gjitha këto aspekte”,-tha ministrja Manastirliu.

Ministrja Manastirliu ka ritheksuar rëndësinë e orientimit të nxënësve në kohë të hershme drejt zanatit dhe arsimit profesional për mundësitë e mëdha që ofron tregu punës.

“Ne do kemi një përfshirje të një kurrikule të re duke filluar nga klasa e 6-të dhe duke u shtrirë deri në klasën e 9-të për sa i përket orientimit të karrierës, që evidentimi i prirjeve dhe talenteve të fillojë në një moshë të hershme dhe ne do të kemi 4 module të cilët do të plotësohen nga mësuesit kujdestarë në bashkëpunim me ekipin e bërthamës që është evidentuar në shkollë për mbështetjen dhe fuqizimin e orientimit të karrierës, duke mundësuar që në klasën e 6-të ne të kemi vlerësimin e prirjeve të nxënësve. Duke pasur një vlerësim të përgjithshëm në klasën e 6-të, në klasën e 7-të, duke e shtuar atë vlerësimin e prirjes drejt nxënësve, në klasën e 8-të dhe duke diskutuar dhe me prindërit, që në klasë të 9- të të përcaktohen prirjet e nxënësve”,-theksoi Manastirliu.

Gjatë takimit me mësuesit në Kavajë, Manastirliu, nënvizoi se prioritet mbetet edhe digjitalizimi i sistemit parauniversitar ku 200 shkolla të reja do të pajisen me laboratorët smart në 2024 e më tej për t’u zgjeruar në me mbi 500 shkolla të arsimit fillor-9 vjeçar dhe të mesëm, ku të përfshihen aftësitë digjitale për sa i përket aspekteve të të mësuarit mbi bazë lëndësh, që digjitalizimi t’i çojë më përpara në raport me të mësuarit.

Mësuesit e shkollave 9-vjeçare në Kavajë, në takim me Ministren Manastirliu sugjeruan zgjerimin e bazës didaktike në shkolla, rritjen e aksesit në teknologji dhe zgjerimin e ambienteve sportive dhe palestrave për zhvillimin e edukimit fizik.

SHKARKO APP