Ministrja Manastirliu në Lezhë: Transferim pa burokraci nga gjimnazet në shkollat profesionale deri në muajin dhjetor

”Deri në muajin dhjetor, kemi vendosur që transferimet nga shkolla e mesme e përgjithshme, drejt shkollave profesionale, të mund të kryhet automatikisht, me një proces shumë të shpejtë, shumë të lehtë, nëpërmjet sistemit SMIP në e-Albania”,-tha ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu nga shkolla “Gjergj Kastrioti” në Lezhë, ku vijoi fushatën e komunikimit dhe ndërgjegjësimit “Zgjidh Zanatin” me prindër, nxënës, mësues, për orientimin e nxënësve drejt arsimit profesional, si çelësi i suksesit për punësimin e sigurt.

Me qëllim dhënien e një hovi të ri të orientimit dhe zgjedhjes së arsimit profesional të nxënësve, ministrja Manastirliu tha se është fuqizuar bërthama e orientimit të karrierës në shkollë, duke e filluar orientimin e karrierës që në klasën e gjashtë dhe duke e shtrirë deri në klasën e nëntë, për të evidentuar hershëm prirjen që nxënësit kanë drejt arsimit profesional.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, foli edhe për buxhetin 2024, ku bëri me dije rritjen histroike të pagave për mësuesit dhe siguroi vazhdimin e investimeve me shkolla të reja dhe pajisjen me laboratorë.

“Në 2024 ne do të kemi një mbështetje për rritjen e pagave të mësuesve, rreth 30 mijë mësues do të kenë një rritje pagash të konsiderueshme. Ne jemi të angazhuar që në vitin 2024 të përfundojmë investimet në rehabilitimin e 30 shkollave dhe të hapim investimet me rreth 1 miliard lekë për shkolla të tjera dhe gjithashtu të investojmë në laboratorë të shkencave dhe në 216 Smart lab”, tha ministrja Manastirliu.

Në shkollën “Gjergj Kastrioti”, është zhvilluar një aktivitet me mësuesit, nxënësit dhe prindërit mbi fushatën e komunikimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për orientimin drejt arsimit profesional, fushatë e cila do të vijojë në të gjithë vendin.

SHKARKO APP