Ministrja Manastirliu: Program i ri përforcimi për nxënësit me mësuesit e dispozicionit
Ministria e Arsimit dhe Sportit do të pilotojë programin e skemës së mësuesit në dispozicion, me qëllim që shkollat në Shqipëri të mos kenë orë mësimore pa mësues, në raste kur ata mungojnë për arsye shëndetësore ose me leje administrative, si dhe programin e përforcimit për nxënësit, nëpërmjet orëve të posaçme nga mësuesit e dispozicionit.
Ky program i dyfishtë, i cili do të fillojë në muajin janar të vitit të ardhshëm, do të përfshijë 82 mësues të caktuar në 30 shkolla të ndryshme në të gjithë vendin. Programi i cili është në fazën pilot, u prezantua nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu nga shkolla “Vasil Shanto”, një nga pesë shkollat e përzgjedhura në Tiranë, nga ku do të nisë pilotimi.
“Ne këtë program e kemi hartuar për të mundësuar një prej atyre instrumenteve të ri që i duhet sistemin arsimor parauniversitar, për të krijuar bazën e mësuesve të dispozicionit, të cilët do të angazhohen në këtë program pilot, për të mundësuar që nxënësve me arritje të ulëta të mundemi t’ju japim përforcimin e nevojshëm në lëndë të përcaktuara, në mënyrë që edhe ata të ecin si të gjithë shokët, duke rritur nivelin e tyre të arritjeve”, tha Manastirliu.
Këta mësues do të angazhohen në nivele të ndryshme të sistemit arsimor, duke filluar nga arsimi fillor dhe në lëndë të ndryshme si: gjuha shqipe dhe letërsia, deri te matematika, fizika, biologjia, kimia, historia, gjeografia dhe gjuha e huaj (anglisht). Çdo mësues në dispozicion do të mbajë orë mësimore sipas orarit të një mësuesi të profilit përkatës, dhe në raste kur nuk ka orë të lira për zëvendësim, ata do të ofrojnë orë përforcimi për nxënësit me arritje të ulëta, përqendruar në përmirësimin e tyre në lëndët specifike.
“Është një program i ri prandaj ne duam ta pilotojmë të shohim se sa rezultate do na japë dhe padyshim në momentin që do të kemi finalizuar këtë fazë të parë deri në fund të këtij viti shkollor, ne do të kemi vlerësuar dhe shtrirjen e tij në shkolla të tjera”, tha Manastirliu. Një nga synimet kryesore të këtij programi, sipas Manastirliut, është të ndihmojë nxënësit me performancë të dobët të avancojnë dhe të arrijnë rezultate më të mira në rrugëtimin e tyre në shkollë. Do të jenë drejtorët e shkollave parauniversitare ata që do të identifikojnë grupet e nxënësve me nevojë për përforcim dhe do të hartojnë orarin e orëve të përforcimit për secilën javë mësimore.
“Jam e bindur që mësuesit do të angazhohen në këtë program të ri të ngritur nga MAS dhe do të jenë pjesë integrale e shkollës për të krijuar grupet e nxënësve dhe nga ana tjetër për të ndjekur në dinamikë ecurinë e tyre në mënyrë që ne të përforcojmë dhe të mundemi të rrisim nivelin e njohurive të nxënësve”, tha ministrja Ogerta Manastirliu.
Ky program i MAS synon të sigurojë një sistem arsimor më të qëndrueshëm, duke ofruar mbështetje të rëndësishme për të siguruar mësim të pandërprerë në shkolla edhe në rast mungese të mësuesve por edhe të rrisë nivelin e njohurive të nxënësve që paraqesin vështirësi në shkollë.