Ministrja Xhaçka: Të mbështesim nismat private për punësimin
Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka mori pjesë sot në çeljen e fazës së re të programit “Zhvillimi i Aftësive për Punësim”. Ky program është një nismë e përbashkët e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe mbështetet nga Ministria se Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Synimi i prgramit është të mbështesë të rinjtë nga mosha 18-30 vjeç, që kanë vizion dhe ide inovatore për të ndërtuar biznesin e tyre.
Në fjalën e saj, Ministrja Xhaçka u shpreh se punësimi nuk është vetëm i lidhur me administratën, por edhe me biznesin dhe idetë e reja të sipërmarrjes. “Besoj që gjithnjë e më tepër, jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që çështja e punësimit nuk mund të jetë e lidhur gjithmonë me administratën dhe shërbimin civil sikundër dëgjojmë gjithmonë, por edhe me nevojën për të nxitur gjithnjë edhe më shumë iniciativën private dhe mendoj se kjo duhet të jetë pikë së pari një detyrim i qeverisë pa diskutim por edhe vetëdije e të gjithëve ne, sepse vetëm duke nxitur punësimin përmes iniciativës private, do të kemi punësim më shumë por edhe zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm”,- tha Ministrja Xhaçka.
Më tej, Minsitrja shtoi se reformat e Qeverisë synojnë pikërisht nxitjen e formave të punësimit te biznesi. “Qeveria Rama dhe ministria që unë drejtoj, është duke ndërmarrë një sërë reformash të thella në sektorin social – në fushën e punësimit, formimit profesional, mbrojtjes dhe përfshirjes sociale. Emëruesi i përbashkët i të gjithë këtyre reformave, është nxitja dhe aktivizimi i fuqisë punëtore nëpërmjet hartimit të politikave efektive dhe lehtësimit të pjesëmarrjes në tregun e punës për grupet në nevojë. Efektet e sipërmarrjes në Shqipëri janë të dukshme. Por mbështetja nga shteti ka qenë deri tani në nivele politikash dhe lehtësime proceduriale dhe fiskale”,- tha Xhaçka. Ministrja shtoi se në vend duhet të nxitet kultura sipërmarrëse dhe tu jepet shtysë projekteve që jo vetëm gjenerojnë të ardhura, por edhe krijojnë hapësira të reja në tregun e punës. “Stadi i zhvillimit në të cilin jemi, nxjerr në pah dhe nevojën për nxitjen e sipërmarrjes me anë të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të institucioneve publike për idetë e reja, inovatore dhe që sjellin jo vetëm vetë-punësim, por kanë gjithashtu dhe një potencial të lartë për punësim dhe vlerë të shtuar në ekonominë e vendit. Dhe ky aktivitet sot, është dëshmi e faktit që ne i kemi kthyer sytë nga kjo nevojë, si partnerë dhe përfitues në programe si ky sot”,- tha Ministrja.
Duke folur për idetë e prezantuara në takim, Xhaçka shtoi se kemi të bëjmë më risi që duhen mbështetur. “Idetë që do shpalosen sot, janë pjesë e një nisme vetë-punësimi dhe sipërmarrjeje. Gjatë fazës aktuale të programit të vetëpunësimit rreth 300 të rinj dhe të reja nga e gjithë Shqipëria kanë aplikuar, 100 prej të cilëve tashmë kanë përfunduar trainimin për programin e vetë-punësimit. Sot, 20 prej tyre dhe në ditët në vijim 40 të tjerë, do të kenë mundësinë të prezantojnë idetë e tyre përpara një paneli profesionistësh. Të rinjtë vijnë nga e gjithë Shqipëria dhe ata që do të kalojnë provën e fundit, do të përfitojnë pas regjistrimit të biznesit të tyre, 500,000 lekë të reja”,- tha Ministrja.

