Mirela Kumbaro: Monumentet me qira nuk do bëhen kafene

“Udhëzimi për dhënien me qira të monumenteve të kulturës, nuk do të thotë që ato do të kthehen ne kafene, por në vepra të rijetëzuara që nuk do ta ndryshojnë kurrësesi strukturën e tyre”. Këtë ka sqaruar në emisionin Oktapod të Turjan Hyskës, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila theksoi se në cdo rast, pronar dhe administrator do të jetë gjithmonë shteti. Sipas saj, nuk ka ende një projekt për këtë nismë të ndërmarrë, edhe pse kanë filluar kontakte me donatorë, OJF dhe pushtetin lokal. Ministrja solli shembull shfrytëzimin e amfiteatrove të Italisë, të cilët shndërrohen kohë pas kohe në skena koncertesh apo aktivitetesh të ngjashme. Kumbaro tha se synimi është që në verë të krijohet një skenë koncerti në amfiteatrin e Durrësit.

Sipas saj, eksperiencat e mëparshme, ku kalatë janë shndërruar në bare e kafene, nuk do të përsëriten më. Lidhur me kriteret që duhet të përmbushin ata që do të pretendojnë të shfrytëzojnë këto ambjente, zonja Kumbaro u shpreh se gjithcka do të kalojë në sitën e Këshillit Kombëtar të restaurimit. Gjatë pyetjeve “jo protokollare” të moderatorit Hyskaj, mbi Teatrin Kombëtar dhe kritikat për drejtorin e saj Hervin Culi, Ministrja e Kulturës deklaroi se është shumë e kënaqur me menaxhimin e këtij teatri dhe me performancën e Culit, i cili e ka hapur skenën për aktorë dhe audicione.

Sipas Kumbaros, edhe pse ka kritika në mediat sociale për administrimin e kulturës në vend, është më mirë që shqiptarët të shkarkojnë dhe shfryjnë dufet në facebook, pasi kjo i bën më pak të dhunshëm. Indirekt, Kumbaro e kundërshton ligjin e diskutuar të bllokimit të komenteve ofenduese në rrjetet sociale, që qeveria ka ndër mend të miratojë. Ministrja e Kulturës e konsideroi trillim mediatik, lajmin se kryeministri Rama e kishte bërë të lotonte pak kohë më parë në Kuvend, ndërkohë që theksoi se ka filluar të mendojë për librin e saj të ardhshëm, i cili mund të ngjitet më lart si prioritet, sesa një mandat i dytë në krye të Kulturës së Shqipërisë.

SHKARKO APP