Momentet e fundit të Gjikës para arrestimit, drekë me avokatin e tij dhe dhe zv/ministrin e Drejtësisë

Arrestimi nuk ka qenë një befasi për kryebashkiakun Shpëtim Gjika. Burime të besuara dje pohuan se ai ka qenë në dijeni të hetimit të nisur ndaj tij që para një viti. Gjithsesi, ditën e djeshme ai e ka nisur normalisht. Mësohet se mëngjesin e djeshëm, Gjika ka pirë kafe me disa miq të tij në lokalin “Saint Tropez”, që ndodhet në zonën e Ujit të Ftohtë dhe që është në pronësi të kryebashkiakut të Selenicës.

 

Më pas ai është larguar dhe në mesditë ka drekuar së bashku me avokatin e tij, Ardian Leka dhe zëvendësministrin e Drejtësisë, Arben Isaraj. Pasi ka mbaruar drekën, kreu i Bashkisë së Vlorës ka shkuar në banesën e tij ku dhe u arrestua. Burime të sigurta për “Gazeta Shqiptare”, dje bënë me dije se tri ditë më parë, dy prokurorë kanë trokitur te zyra e kryebashkiakut Gjika, por ky i fundit u ka mbyllur derën.

 

Sipas burimeve të mësipërme, prokurorët kanë shkuar ta takojnë kryebashkiakun për çështjen për të cilën ai po hetohej. Menjëherë pas arrestimit, Gjika është dërguar në qelitë e paraburgimit në Komisariatin e Policisë së Vlorës. Vetëm pas 5 orësh qëndrimi në qeli, 52-vjeçari është dërguar në Spitalin Rajonal të Vlorës për shkak të problemeve shëndetësore. Shpëtim Gjika është shtruar në reanimacionin e këtij spitali, pasi ka pasur dhimbje të forta në gjoks dhe tension të lartë.

SHKARKO APP