Monitorim intensiv nga shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin
Aktualitet Kronikë E Diel, 21 Korrik 2024 12:03
Nisur nga fluksi i lëvizjeve, veçanërisht në zonat bregdetare, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve që janë burim për aksidente rrugore, janë shtuar patrullat e lëvizshme, duke përdorur mjete inteligjente shpejtësimatëse, poliskanë, radarë automatikë, dronë të cilësisë së lartë, dragera dhe teleskopë.
Skuadra të posaçme të Policisë Rrugore janë planëzuar me shërbim në tunelin e Llogarasë, i cili monitorohet 24 orë me kamera dhe matës të shpejtësisë, për të parandaluar shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor gjatë qarkullimit në tunel.
Si rezultat i monitorimit në të gjitha akset rrugore dhe qendrat urbane, gjatë një jave:
-janë pezulluar 145 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara, për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur dhe për qarkullim në sens të kundërt;
-janë arrestuar 38 drejtues mjetesh, nga këta për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.
Gjithashtu, në të gjithë vendin janë vënë 27 558 masa administrative, nga këto:
. 7098 për shpejtësi tej normave të lejuara;
. 1234 për përdorim të celularit, gjatë drejtimit të mjetit;
. 1456 për mospërdorim të rripit të sigurimit;
. 3434 për parakalime të gabuara;
. 387 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;
. 226 për manovra të rrezikshme në rrugë;
. 289 për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit;
. 11345 për parkim të gabuar;
. 2089 për shkelje të tjera.
Shërbimet e Policisë Rrugore do të vijojnë intesivisht monitorimet në të gjitha rrugët urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur mjetet inteligjente dhe bazën logjistike bashkëkohore që kanë në dispozicion, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, për përdorim të rrugëve alternative, për qëndrim në radhë kur ka ngadalësim të lëvizjes së automjeteve në raste fluksi, t’u japin përparësi këmbësorëve dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në qendrat urbane dhe akset nacionale.
Gjithashtu drejtuesit e kamionëve të zbatojnë me rigorozitet kufizimet e lëvizjes, gjatë fundjavës dhe festave zyrtare.
Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.