Moti i acartë, në disa zona temperaturat deri në -17 gradë

Mes acarit dhe errësirës viti 2015 ka nisur i vështirë për shqiptarët.

Mijëra familje në të gjithë vendin mbeten në errësirë të plotë prej disa ditësh  në një kohë kur termometri në disa zona ka zbritur deri në minus 17  gradë celcius. Probleme me furnizimin me energji elektrike ka në qarkun e Korcës, atë të Dibrës dhe rrethin e Librazhdit, ku erërat e forta dhe ngricat kanë ndikuar në shembjen e shtyllave dhe këputjen e televa të energjisë elektrike. OSHEE ka nxjerrë në terren disa grupe pune, por pa mundur ende që të normalizojnë situatën dhe të rikthejnë energjinë elektrike.

Ndërsa reshjet e dëborës ja lanë vendin ngricave këto të fundit kanë sjellë probleme me furnizimin me ujë në shumë zona të vendit.

Uji ka ngrirë në cezmat e banorëve të Dibrës, Kukësit, Korcës dhe zona të tjera malore. Nevoja për ujin ka bërë që banorët e këtyre zonave tu rikthehen metodave të mesjetës për ta siguruar atë

Por banorët e zonave malore në qarkun e Dibrës, tashmë të izoluar prej gati një jave japin alarmin se po u mbarojnë rezervat ushqimore. Ata i bëjnë apel autoriteteve shtetërore që të marrin menjëherë masa për të evituar cdo skenar të mundëshëm në rast se situata do të shkonte drejt përkeqësimit. Ndërkohë fermerët e qarkut të Korcës kanë një tjetër shqetësim, mungesa e energjisë elektrike atyre po u dëmton prodhimet e grumbulluara nga puna e një viti.

Ndërkaq disa zona të vendit mbeten të bllokuara dhe lëvizja në shumë akse të vendit është e vështirë për pasojë të ngricave.

Në Dibër rreth 30 % e qarkut është e izoluar. Probleme ka në Trebisht, Ostren, Gjoricë, Shupenze, Lurë në kalanë e Dodës, Selishte dhe në të gjithe zonën e Gollobordës. Ndërsa në Kukes, trashësia e borës është 30 cm, duke shkaktuar bllokime të rrugëve dytësore. Probleme në lëvizjen e mjeteve në disa akse ka edhe në Pukë, Librazhd dhe qarkun e Korçës. Policia rrugore ka kërkuar nga të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes dhe të përdorin zinxhirët në rrugët ku ka vështirësi.

SHKARKO APP