Moti i keq, policia apel drejtuesve të mjeteve: Tregoni kujdes! Kurse Shërbimi Meteorologjik Ushtarak: Pritet të ketë erë të fortë

Policia e Shtetit ka apeluar për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve për shkak të situatës së krijuar si pasojë e motit të keq dhe reshjeve të shtuara të shiut dhe reshjeve të dëborës në zonat malore.

Sipas policisë, aktualisht nuk ka asnjë aks rrugor të bllokuar momentalisht por këshillohet pajisja me zinxhirë dhe goma dëbore në zonat përkatëse.

“Si pasojë e motit të keq me reshje shiu ️ dhe në disa zona malore me reshje dëbore, Policia e Shtetit apelon për KUJDES TË SHTUAR për drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve ️, që të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore , të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështirës dhe të prezencës së ujit në disa segmente rrugore.

Për lëvizjen në akset rrugore në zonat malore ku ka reshje dëbore të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore.

Të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore.

Deri në këto momente nuk ka asnjë aks rrugor të bllokuar.

Ndërkohë, në të gjitha drejtoritë janë ngritur grupet e emergjencës dhe po mbajnë kontakte me përfaqësuesit e pushtetit vendor, me firmat kontraktore dhe emergjencat civile.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se nesër (e dielë) pritet të ketë erë të fortë.

Era ditën e diel deri në orët e mesditës pritet të fryjë me drejtim nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 4-12m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet hera-herës do të arrijë shpejtësi 14-21m/s shoqëruar me dallgëzim të forcës 3-5ballë. Pas orëve të mesditës intensiteti i erës do të jetë 7-16m/s.

Gjatë ditës do të ketë mjegull të dendur lokale, si pasojë shikim do të jetë i reduktuar në orët e mëngjesit, mbrëmjes dhe momentin e reshjeve të shiut dhe dëborës në zonat malore.

SHKARKO APP