Motra e Fildes Hafizit letër Erjon Veliajt: E ardhmja e fëmijëve…
Familja e gjyqtares së ndjerë Fildes Hafizi, e cila u vra më 31 Gusht nga ish-burri i saj, ka marrë ndihmë nga Bashkia e Tiranës në lidhje me kushtet e vështira në të cilat ndodhen 2 fëmijët. Është Amela Hafizi, e motra e ish-gjyqtares që përmes një letre ka shprehur falenderimet e saj për Bashkinë e kryeqytetit dhe më konkretisht për Erjon Veliajn.
Në letër, motra e Fildes Hafizit vlerëson se stafi i Bashkisë së Tiranës ka mbështetur në kohë rekord në mënyrë që prindërit dhe fëmijët të kenë një strehë në një kohë të vështirë për familjen pas ngjarjes së rëndë.
“Ju falenderojmë për disponibilitetin dhe kohën rekord në të cilën na keni ardhur në ndihmë. Juve na bëtë të kuptojmë se në këtë botë ka ende njerëz shumë të mirë me zemër të madhe dhe dëshirë për të ndihmuar. Ju lutem Z. Veliaj t’i transmetoni falenderimet e mia stafit tuaj të vartësisë për vlerësimin dhe gatishmërinë maksimale të treguar nga ana e tyre. Zoti ju bekoftë ju dhe të gjithë personat që na qëndruan pranë në një moment kaq të vështirë”, shkruhet në letrën dërguar Veliajt.
Konkretisht Bashkia e Tiranës përveç strehimit në një banesë të re me qira dhe mobilimit të saj, secili prej dy fëmijëve përfiton nga 9 mijë lekë në muaj nga pagesa e kujdestarisë dhe transportin falas për në shkollë.


