“Na izoluan në konvikt, edhe çajin na e sillnin në krevat”! Sabit Brokaj: Si më vdiqën pacientët tek Ushtaraku! Ja propozimi im kundër COVID-19

Profesor Sabit Brokaj, ish-ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes, tregon epidemitë e rënda gripale që ka përjetuar si nxënës, por dhe si mjek.

Ai kujton se kur ka qenë konviktor i shkollës së mesme në Vlorë, është izoluar për rreth tri javë bashkë me nxënësit e tjerë të shkollës gjatë epidemisë së rëndë të gripit aziatik, që preku dhe Shqipërinë. Por si mjek, profesor Brokaj tregon vitin 1973, i cili u shoqërua me shumë viktima dhe izolime të reparteve ushtarake dhe shkollave.

Ai vlerëson rolin dhe figurën e mjekëve në përballimin e situatës së pandemisë Covid-19, duke u shprehur se ky virus pati edhe një të mirë, atë të rivlerësimit të figurës së mjekut, aq të anatemuar dhe sulmuar gjatë 30 viteve të fundit. Profesor Brokaj është kritik ndaj Bashkimit Europian dhe NATO-s, filozofia e të cilëve është ndihma dhe solidariteti mes vendeve anëtare.

“Ajo që më bën përshtypje në këtë pandemi, është dhe cenimi i filozofisë, mbi të cilat u krijuan disa unione, siç është BE apo NATO. Ku është solidariteti brenda vendeve të BE-së, që me të drejtë ankohet Italia, dhe ku është ndihma e NATO-s, që e ka të fiksuar në nen, ku termi luftë po përdoret më tepër tani se në një luftë që nuk erdhi kurrë si ajo me bomba dhe aeroplanë, sepse, në një kuptim, ky virus është një armë biologjike për nga pasojat që po shkakton. Italia më shumë u ndihmua nga vende që nuk janë as në BE dhe as në NATO, si Rusia, Kina apo Kuba. Roli jo i plotë i BE-së, roli inekzistent i aleancës së NATO-s, tregon se bota duhet globalizuar dhe këtë mësim e këtë mundësi na e dha koronavirusi”, shprehet Brokaj.

Profesor Brokaj ka dhe propozime konkrete se si mund të dilet nga kjo situatë dhe si mund t’i kthehemi normalitetit. Sipas tij, në zonat e paprekura nga koronavirusi në Shqipëri, jeta duhet të nisë normalisht, duke përmbushur rregullat e higjienës dhe të distancimit.

Profesor, Shqipëria ka kaluar gripin e Hong Kongut në 1968 dhe gripin kinez në 1957-1958, si kanë qenë ato epidemi krahasuar me Covid-19?

Unë njoh një epidemi, që e kam jetuar si mjek në atë kohë në Shijak, atë të viteve 1972-1973, e cila ka qenë shumë e fortë, një virozë e rëndë. Kjo virozë pati një sëmundshmëri shumë të lartë. Kam ndjekur 3-4 persona në Spitalin Ushtarak në atë kohë, sepse punoja dhe në reanimacionin e spitalit. Kjo është epidemia që unë mbaj mend si mjek, përveç një tjetre, të cilën e kam kaluar kur isha nxënës shkolle, kur na kanë izoluar në konvikte.

Pati vdekshmëri të lartë epidemia në atë kohë?

Ka pasur vdekshmëri të lartë, 4 i kam ndjekur vetë, ishin të rinj.

U kalua në izolim të plotë ndaj asaj?

Në struktura ku kishte grumbullime masive njerëzish, si ushtria, konviktet e shkollave etj., izolimi ishte i plotë, por jo në popullatë. Nuk kemi pasur modele të tilla asnjëherë si Covid-19, sepse nuk ka pasur forma të tilla infeksioni. Në shkollën e mesme në konvikt, ku ishin rreth 500 nxënës, të gjithë nxënësit e konvikteve u izoluan, aq sa edhe çajin e mëngjesit na e sillnin në shtrat që të mos dilnim nga dhoma.

Sa zgjati kjo situatë?

Kjo situatë, me sa mbaj mend, ka zgjatur 2-3 javë, sepse kishte agresivitet shumë të lartë, ishte virozë ajrore dhe preku në një kohë të shkurtër një masë shumë të madhe në vende me përqendrim njerëzish.

Kjo epidemi ka qenë e periudhës 1957-1958?

Po, në atë periudhë.

Kjo periudhë lidhet me një grip aziatik, me prejardhje nga Kina, që ka kaluar e mbarë bota dhe miliona të vdekur. Nuk pati edhe këtu izolime të hyrje-daljeve me jashtë?

Në fakt, në atë kohë, nuk ka pasur këtë komunikim global siç është sot, përmes mediave dhe internetit. Në ato vite, Kina kishte miliona vdekje nga uria dhe bota nuk i merrte vesh kurrë. Ajo që njihet historikisht është gripi i Pasluftës së Parë Botërore, ku vdiqën miliona vetë, më shumë viktima se edhe nga Lufta që sapo kishte përfunduar.

Keni një vlerësim për betejën botërore me këtë virus, kur gjeneralët dhe admiralët e ushtrisë u zëvendësuan nga virologët, pneumonologët, infeksionistët, reanimatorët etj.?

Në çdo sëmundje, edhe sikur një pacient të vdesë, është një e keqe. Këtu nuk bëhet fjalë se sa e madhe është e keqja që tronditi botën. Por, për ne, kjo pandemi solli vetëm një të mirë: rivlerësimin e figurës së mjekut. Ka të paktën 30 vjet që mjekët shqiptarë kanë qenë në sulme të vazhdueshme, fizike edhe jetësore, me një agresivitet të habitshëm, të papajtueshëm me raportet njerëzore e jo më me raportin e njeriut që vuan dhe mjekun, i cili e trajton për ta shëruar. Nuk mund të themi se nuk ka pasur arsye për pakënaqësi në raportin mjek-pacient, por nuk mund të ndodhë kurrë që roli i mjekut të përbaltej në këtë mënyrë aq sa ne mjekët e vjetër na krijoi shumë emocion ajo kënga për mjekun, e viteve ’60 e Anita Takes, një këngë që për mua flet në substancë tepër mbi rolin dhe funksionin e figurës së mjekut, që për fat të mirë e dëgjuam pas 40 vjetësh dhe ndërkaq ndihem shumë mirë si mjek kur këndojnë nga ballkonet apo përshëndetin nga larg figurën fisnike të këtij profesioni. Kjo është një e mirë për popullatën, sepse rregullon përfundimisht raportet mjek-pacient, mjek-popullatë, që është shumë i domosdoshëm.

Është pak ironike kur ndërkohë që bota kishte përparuar aq shumë në teknologjitë e luftës, lufta kësaj radhe po fitohet përmes betimit të Hipokratit…

Po ta shohësh në thelb, një infeksion i tillë viral, i cili vjen një herë në 100 vjet, mbetet aq i patrajtuar, i panjohur dhe masakrues në një shoqëri që ka realizuar armatime të tilla ushtarake në nivel të tillë, që një nga superfuqitë që ka potencialin të shkatërrojë botën, duke harxhuar shuma të paimagjinueshme për të vrarë njerëz dhe shkatërruar jetën, erdhi puna që një virus, jo i panjohur, gjunjëzoi vende jo pak të zhvilluara. Madje, prishi edhe atë ndarjen mes vendeve të zhvilluara, vendeve të pazhvilluara dhe vendeve të botës së tretë. Ky virus i njehsoi të gjithë. Në thelb, ky e globalizoi botën, megjithë ndarjet që ka bota në aleanca apo kampe. Për ironi, ajo fuqi ushtarake që flinte në kazerma, duhet të dalë sot në rrugë dhe të merret me kufizimet e qarkullimin e popullatës apo për të garantuar distancimin social përtej qëllimit të destinuar për ushtrinë. Prandaj, kjo është një shuplakë e fortë për të kuptuar se si është e mundur që triliarda e triliarda dollarë janë shpenzuar për të vrarë njerëzit dhe tani, një nga shefet e laboratorit për vaksinat në Angli, shumë e njohur, i kërkon ndihmë qeverisë angleze për të përshpejtuar procedurën e nxjerrjes së vaksinës. Sot ka diçka më tronditëse se kjo, kur fondet për financimin në mjekësi dhe për vaksinat duhet të ishin shumë të bollshme gjithë kohën, ndërsa tani vaksina është problem për të shpëtuar njerëzimin nga kjo pandemi. Por ajo që më bën përshtypje në këtë pandemi, është dhe cenimi i filozofisë, mbi të cilat u krijuan disa unione, siç është BE apo NATO. Ku është solidariteti brenda vendeve të BEsë, që me të drejtë ankohet Italia, dhe ku është ndihma e NATO-s, që e ka të fiksuar në nen, ku termi luftë po përdoret më tepër tani se në një luftë që nuk erdhi kurrë si ajo me bomba dhe aeroplanë, sepse, në një kuptim, ky virus është një armë biologjike për nga pasojat që po shkakton.

Italia më shumë u ndihmua nga vende që nuk janë as në BE dhe as në NATO, si Rusia, Kina apo Kuba. Roli jo i plotë i BE-së, roli inekzistent i aleancës së NATO-s, tregon se bota duhet globalizuar dhe këtë mësim e këtë mundësi na e dha koronavirusi. Ndryshe, bota do ndahet në parcela dhe nga ndarja në parcela i dimë mirë se çfarë pasojash na vijnë. Në përballimin e këtij virusi vendet luftuan secili për vete, duke vënë në diskutim filozofinë që i kishte çuar në ndërtimin e unioneve apo organizatave botërore.

Në këndvështrimin tuaj, Shqipëria reagoi me shpejtësinë e duhur kundër përhapjes së Covid-19?

Unë kam bindje absolute se Shqipëria ka qenë plotësisht korrekte në masat që mori kundër përhapjes së këtij virusi. Efikasitetin e reagimit të Shqipërisë na i përforcojnë hezitimet dhe vonesat e vendeve të tjera me pasojat që krijuan. Ky ballafaqim është objektiv, sepse janë reagime që duheshin ndërmarrë në të njëjtën kohë, por me efekte të ndryshme, nga një vend në tjetrin dhe për këtë Shqipëria ka çfarë të tregojë në rezultate. Masat që u morën ishin më të domosdoshmet, dhe pse me mënyra primitive, siç ishte izolimi social, i cili ka nisur në kohët e lashta me kolerën dhe murtajën. Shqipëria arriti sukses si politikë, si qeverisje, por edhe si media, e cila ka qenë shumë koherente dhe konstruktive në mesazhin që duhet të jepte në këtë periudhë, me efekte maksimale në frenimin e përhapjes.

Nuk kanë munguar veçse edhe materialet në spitale, si i gjykoni?

Gjithnjë ka pasur një rezervë në bazën materiale, sepse kemi pasur një x sëmundshmëri dhe mbi bazën e kësaj ishte dhe pajisja spitalore, fjala bie për respiratorë. Ato kanë qenë nevojat e vendit dhe këto nevoja plotësoheshin. Mos harrojmë që edhe SHBA, në rast të pandemisë, kishte mungesa në respiratorë, madje dhe në pajisje elementare të kompleteve sanitare spitalore. Prandaj, si në parandalim, ashtu dhe në marrjen e masave për izolimin social të popullatës, veprimet e qeverisë kanë qenë shumë korrekte në funksion të ndërprerjes së përhapjes së epidemisë. Me karantinën, epidemiologët, të cilëve unë ua njoh shumë mirë rolin që kanë, ka qenë mjaft i mirë, sepse ndryshe nuk do të ishte kjo përqindje sëmundshmërie. Po ashtu, edhe pjesa e mjekëve të spitalit, të paktën ata të brezit të mesëm, unë i njoh mirë personalisht dhe janë të gjithë shumë të mirë. Dua të shtoj se kjo pandemi na jep edhe një kuptim tjetër, vlerësimin dhe qëndrimin ndaj shëndetit publik në lidhje me sëmundjet infektive. Sepse kohë më parë, duke marrë modelet e vendeve të caktuara, siç kemi marrë për reformat, u synua që të zhdukej fare Spitalin Infektiv. Ne mbështetësit për ruajtjen e Infektivit, edhe pse na etiketuan si primitivë, luftuam fort që ai të mbetej. Merreshin në atë kohë modele të vendeve të zhvilluara, që në këtë rast provuan se kishin bërë shumë keq që e kishin zhdukur këtë pjesë publike të mjekësisë. Por edhe pse një pjesë e mjekëve këmbëngulën, Spitali Infektiv përsëri u masakrua, në njëfarë kuptimi, sepse nga trekatësh, e la vetëm në një kat, duke ua dhënë dy katet e tjera shërbimeve të tjera mjekësore. Ndërkaq, Infektivi në spitalet e rretheve u zhduk, specialiteti i infektivit u zhduk, nuk specializohet njeri për infeksionist. Vlora ka pasur 4 infeksionistë dhe një pavijon, sot, me sa di unë, nuk ka as pavijon dhe as infeksionistë. Ky virus na dha një mësim, se pavarësisht se sa shtretër ka në këtë spital, Infektivi duhet ruajtur dhe duhet përgatitur trupa e infeksionistëve nga brezi në brez.

Nisur nga këndvështrimi i mjekut me përvojë, si duhet të jetë periudha e daljes nga kjo gjendje dhe e rikthimit në normalitet?

Ekziston koncepti se ulja e numrit të rasteve të reja, do të përcaktojë edhe rënien e infektimit dhe tejkalimit të epidemisë. E vërteta është e vlerëson ulja e rasteve të reja në raport me kulmin që ka arritur sëmundshmëria. Vendet e zhvilluara industriale kanë maninë që të dalin sa më shpejt nga izolimi. Për mua, politika e deritanishme e jona është fare korrekte. E them këtë sepse ka afërsisht 10 ditë që rastet e reja luhaten nga 8, 9 deri në 20-21 në ditë, domethënë kulmi te ne u krijua i sheshtë dhe jo në mënyrë piramidale dhe pritet që edhe rënia të jetë e butë. Kjo do krijojë mundësinë që çlirimi nga karantina të jetë gradual. Propozimi im është që jo vetëm për arsye ekonomike, por dhe njerëzore, meqenëse ne një pjesë të Shqipërisë e kemi shumë të pastër, të paprekur nga Covid 19, ndërkohë që e formuam edukatën si shtet dhe si qeverisje që ta kontrollojmë karantinën, por dhe të ketë një vetëkontroll nga popullata, do ishte mirë që në këto zona që nuk u prekën nga epidemia, jeta dhe aktiviteti ekonomik të niste i plotë, duke vijuar kontrollin dhe vetëkontrollin. Lirimet e bërë gjatë javës së kaluar ishin mjaft korrekte nga të gjitha palët.

Burimi: Panorama

SHKARKO APP