Naim Murseli pranon vrasjen e Liridonës. Mediat: 15 mijë euro u dhanë para, 15 mijë pas! Tronditen 3 familje
Në ditën kur është varrosur Liridona Ademaj-Murseli, janë arrestuar tre persona të dyshuar për kryerjen e krimit. Policia e Kosovës ka arrestuar bashkëshortin, Naim Murseli i cili akuzohet se ka porositur vrasjen për 30 mijë euro, dorasin Granit Plavën si dhe Kushtrim Kallakun, nipin e Naimit pasi akuzohet se ka bashkëpunuar në këtë krim.
Murseli mori pjesë edhe në ceremoninë e varrimit të Liridonës që u krye në fshatin e tij. Ndërsa, vetëm pak orë pas arrestimit të të njëjtit, familjarët e tij raportuan se kanë anuluar të pamen. Vrasja ka shokuar tre familjet, Murselin, Kallakun por dhe Ademin marrëdhëniet e të cilave nuk do të jenë më kurrë si më parë.
Gazeta në Kosovë Sinjali ka mësuar se me tu anuluar e pamja, prindërit e Naim Murselit kanë vendosur të kthehen në Suedi. Vëllai i Kushtrim Kokallës, Kanoni duke folur për median kosovare ka thënë se ndjehet i shokuar nga zhvillimet e fundit, duke thënë se vëllai i tij është i pafajshëm.
Në mediat kosovare, shkruhet se Naim Murseli, ish-këshilltari i Behgjet Pacollit i cili ishte bashkëshorti i viktimës, ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen e gruas te i dyshuari Granit Plava. Edhe ky i fundit ka pranuar se për të kryer vrasjen Murseli i ka premtuar 30 mijë euro në këmbim të vrasjes së gruas së tij.
Burime të “Betimi për Drejtësi” bënë të ditur dje se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit Plava, 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës.