Nallbati goditi kolegun e PS-së në Parlament, GJKKO pushon hetimin

Gjykata e Posaçme pranon kërkesën e SPAK-ut për të pushuar hetimin për sherrin e dhunshëm mes deputetëve Bledion Nallbati dhe Vullnet Sina në sallën e seancave plenare të Kuvendit. Hetimi i rastit nisi pas një kallëzimi të PS në SPAK kundër deputetit Bledion Nallbati për “goditje për shkak të detyrës” në nëntor 2023. Sipas SPAK, nuk vërtetohet ekzistenca e elementëve të veprës penale.

“Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 23.09.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Pushimin e procedimit penal Nr. 230 të vitit 2023, për veprën penalë të “Goditje për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, bazuar në nenet 328/1/b, 329/a, 329/b e vijues të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 115, datë 28.10.2024, vendosi:

Pranimin e kërkesës së Prokurorisë Posaçme kundër Korrupsionin dhe Krimit të Organizuar, pushimin e çështjes e regjistruar sipas procedimit penal Nr. 230 të vitit 2023. Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi”, njofton GJKKO.

SHKARKO APP