Nazime Visha: Kur isha e vogël doja të bëhesha Presidente të falja gratë

21 vjeçarja e dënuar me 10 vite burg për vrasjen e Fiqiri Muçës, Nazime Visha,  flet për herë të parë pasi Presidenti Nishani i refuzoi faljen. Në një intervistë për emisionin “Oktapod” të Turjan Hyskajt në Vizion Plus ajo thotë jo pa ironi se kur ishte e vogël kishte ëndërr të bëhej Presidente dhe të falte njerëzit. Më 13 gusht 2013 ekzekutoi me kallashnikov 45­vjeçarin Fiqiri Muça, i martuar dhe baba i 5 fëmijëve. Krimi u pranua nga adoleshentja menjëherë pas vrasjes, duke u dorëzuar në polici, por edhe duke treguar shkaqet që e çuan drejt fatalitetit: përdhunimi, rrëmbimi për 11 ditë, tentativa për trafikim drejt Kosovës.

Turjan Hyska: Nazime, kur ishe e vogel, 11 vjeç, 12 vjeç…Çfarë dëshiroje? Çfarë ëndrrash kishe?
Nazime Visha: Kisha ëndërr që të filloja shkollën dhe të isha një presidente që të falja të gjithë njerëzit, pavarësisht… Më shumë gratë. Që të jepja më shumë drejtësi, jo tua humbas drejtësinë.

Turjan Hyska: E hodhe “kunjën”, dhe mirë bërë. Le t’i shkojmë deri në fund, zonjusha Presidente!
Si ndër të paktat herë që angazhohen të gjithë, për ty u angazhuan emra me peshë si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Inva Mula, Tedi Papavrami… e shumë e shumë të tjerë kanë firmosur një letër dërguar Presidentit të Republikës, zotit Nishani që të bënte amnisti, të të falte ty. Por, ai tha ‘Jo’!
Nazime Visha: Unë i falenderoj të gjithë këta që më kanë mbështetur dhe kanë marrë pjesë, si Dritëro Agolli dhe të tjerët, por… Presidenti nuk më fali, prandaj them që po të isha në një vend që njeriu gabon dhe e kupton gabimin që bëri i jap shumë drejtësi dhe e fal.

Turjan Hyska: Ta kanë shpjeguar se pse Presidenti e mori këtë vendim?
Nazime Visha: Ma kanë shpjeguar. Presidenti mori vendimin që unë nuk kisha mbushur kriterin e ligjit të dënimit… duhet ta kisha bërë gjysmën.

Turjan Hyska: Te kanë ardhur ta sqarojnë njerëz nga Presidenca?
Nazime Visha: Po, e ka marë Eni Vasili përsipër dhe e falenderoj shumë. Por nuk e bëri (Presidenti) atë gjë. Varet edhe nga dënimi. Ai edhe mund ta falte, edhe gjysmën… të paktën mos ta refuzonte në atë kuptim! 

SHKARKO APP