Ndalimi i Haradinajt, Franca: Do shohim nëse është çështje politike
Pas ndalimit të ish-kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj në Francë, autoritetet e këtij vendi thonë se do të shqyrtojnë të enjten këtë rast.
Një burim i tha agjencisë Reuters se hetuesit do të shohin ‘nëse ka arsye që të mos e ekzekutojnë kërkesën për ekstradim, veçanërisht në rast se urdhri për arrestimin është lëshuar për çështje politike’.
I njëjti burim tha se hetuesit do të shqyrtojnë ‘nëse Haradinaj është gjykuar më parë në gjykatën e OKB për të njëjtat akuza për të cilat është lëshuar edhe urdhri i arrestit’.
Por Prokuroria për Krime Lufte në Serbi thotë se kanë dërguar fakte shtesë për Ramush Haradinajn.
Drejtuesi i kësaj prokurorie, Milan Petroviç tha se është i kënaqur me vendimin e Francës.
Serbia ka lëshuar një urdhër-arresti për Haradinajn përpara një dekade.
Beogradi ka ngritur ndaj tij 108 akuza për krime të rënda në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
Por Haradinaj është paditur dhe më pas pastruar nga akuzat për krime lufte nga Tribunali i Hagës në vitin 2012.

