Ndrangeta e mafia shqiptare kishin zaptuar Peruxhan, 54 në pranga

Mafia shqiptare dhe Ndrangehta kalabreze kishin krijuar një “joint venture” të vërtetë duke vënë duart mbi Peruxhën.

Trafik droge dhe armësh, por edhe zhvatje dhe vënie gjobash deri në 20% të fitimit ndaj bizneseve lokale.

Ky ishte aktiviteti që organizata kriminale e jugut të Italisë kishte ngritur në qytetin verior në bashkëpunim me një grup shqiptarësh.

Nga operacioni i kryer nga policia italiane ditët e fundit, përmes përgjimeve që zgjasnin prej disa muajsh, janë kryer 54 arrestime dhe sekuestruar asete me vlerë 30 milionë euro. Mes të arrestuarve edhe Bledi, një shqiptar nga Napoli që në rrjetin mafioz njihej me nofkën “Daja”.

Droga në Peruxha vinte përmes Napolit me rrugë tokësore, por edhe duke shfrytëzuar rrjetin e aeroportëve ndërkombëtarë italianë. “Dërbora”, siç quhej në bisedat telefonike të përgjuara nga policia italiane, më pas ndahej, paketohej dhe shitej në një rrjet të mirëorganizuar.

Përveç “Daja” Bledit, në listën e të arrestuarve është edhe Ervis Lyte, i cili ishte i përqendruar edhe në trafikun e armëve, përveç se të drogës.

Sipas përgjimeve në fakt është mësuar se ai kishte në dispozicion një arsenal të vërtetë armësh zjarri, përfshi edhe snajperin TT-33 Tokarev, një armë e prodhuar në ish-Bashkimin Sovjetik dhe që momentalisht gjendet vetëm në Shqipëri dhe Rusi.

Për të maskuar gjithë skemën, kalabrezët dhe shqiptarët kishin investuar në biznese ndërtimi dhe paneleve diellore.

Ndërkohë, policia ka arritur të sigurojë edhe dëshmi nga personat e shantazhuar të cilët thonë se kërcënoheshin duke iu djegur makinat e duke i vënë koka qingjash në dyert e shtëpisë.

SHKARKO APP