Ndryshim në projektligjin e pajisjeve mjekësore, Manastirliu: Kontroll që në doganë

Regjistrimi i pajisjeve mjekësore do të kryhet përpara hyrjes së tyre në treg, duke rritur sigurinë për pacientët, sipas përcaktimit në ligj të rimbursimit të pajisjeve mjekësore. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka prezantuar ndryshimet lidhur me projektligji “Për pajisjet mjekësore”, të cilat do të sjellin një përmirësim të procedurave rregullatore të sektorit, të lidhura me prodhimin, importimin dhe regjistrimin e pajisjeve të tilla. ”Ndryshe nga më parë kur pajisjet mjekësore regjistronin pasi kishin hyrë në treg, me ligjin e ri që ne propozojmë forcohen masat në kontrollin e tregut të pajisjeve mjekësore, duke kryer procesin e regjistrimit që në doganë. Do të monitorohet i gjithë zinxhiri, deri në daljen në treg, duke filluar nga pajisjet dentare të implantueshme e deri te pajisjet mjekësore të teknologjisë së lartë”.

Projektligji i ri garanton cilësinë dhe ruajtjen e standardeve më të mira mbi pajisjet mjekësore që prodhohen, importohen apo tregtohen në Republikën e Shqipërisë, duke u përafruar me legjislacionin e BE-së. Manastirliu gjatë fjalës së saj theksoi se një ndryshim i rëndësishëm është përfshirja e pajisjeve mjekësore që rimbursohen.

”Për herë të parë do të ketë një listë të rimbursueshme të pajisjeve mjekësore që rimbusohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, me qëllim garantimin e aksesit në ofrimin e kujdesit shëndetësor të të gjithë qytetarëve. Aktualisht ne ofrojmë rimbursimin e fishave të diabetit falas deri në 25-vjeç dhe me këtë projektligj i hapet rrugë rimbursimit të pajisjeve mjekësore, përmes një liste të mirëpërcaktuar”. Sipas ministres në vend janë regjistruar rreth 6000 pajisje apo grupime pajisjesh mjekësore dhe janë shtuar 8 penalitete për subjektet që shkelin ligjin, duke filluar nga masat administrative me gjobë për mosdeklarim importi apo vendosjen në treg të pajisjeve në kundërshtim me ligjin, deri në revokim license në rast të shkeljes së rregullave më shumë se një herë.

SHKARKO APP