Ndryshimet kushtetuese, Olli: Zoti na ruajtë! Demokracia ka dështuar
Anëtari i Bordit Drejtues të Bindjes Demokratike, Leonard Olli ka reaguar në lidhje me ndryshimet kushtetuese, të cilat u miratuan një ditë më parë në parlament.
Në një postim në rrjetet sociale, Olli i cilëson ndryshimet si një arnim tjetër i Kushtetutës, ndërsa shton se Reforma e plotë Zgjedhore, e cila do të krijonte mundësitë për një qasje direkte të qytetarit në demokraci është ende larg.
Gjithashtu Olli shkruan se Kushtetuta është përdorur siç kanë dashur politikanët, për interesa të momentit dhe se demokracia në fakt është e dështuar në vendin tonë.
“I futëm edhe një arnim tjetër të shkretës Kushtetutë…. Pri këtej, ngjit andej, një herë e kemi si të Danimarkës, ditën tjetër si të Ugandës…. Tani të presim produktin e radhës….
Reforma e plotë Zgjedhore, e cila do të krijonte mundësitë për një qasje direkte të qytetarit në demokraci është ende larg. Partitë vendosën për sistemin dhe procedurat si deshën atë dhe jo si duan votuesit!
Mjafton vetëm ky fakt për të provuar dështimin e demokracisë se deleguar, pasi kemi demokraci të uzurpuar. Është ende herët për të folur me fakte, pasi do të duhet të presim arnimin e Kodit Zgjedhor, por le të shpresojmë se pa dashje sistemi ka marrë krisje….. Si gjithmonë koha mbetet gjykuesja më e mirë e gjithçkaje.
Por, gjithsesi mbetem i mahnitur se sa shumë adhurohet Kushtetua e këtij vendit tonë mjeran….. Ne emër të saj dhe popullit bëhen thagma… U tregofshin ato si në Eposin e Kreshnikëve…. Zoti na ruajtë!!!!”-shkruan Leonard Olli në postimin e tij.