Neutralizohet zjarri në Drenovë të Mallakastrës, mbi 50 efektivë në terren
Zjarri i regjistruar në fshatin Drenovë të Mallakastrës është vënë nën kontroll pas një operacioni të gjerë të forcave zjarrfikëse, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve drejt zonave të banuara.
Në ndërhyrje morën pjesë 6 mjete zjarrfikëse dhe mbi 50 efektivë nga repartet zjarrfikëse të Mallakastrës, Fierit, Patosit dhe Roskovecit. Në terren u angazhuan gjithashtu shërbimet e Bashkisë Mallakastër dhe Policia Bashkiake, të cilat bashkëpunuan për menaxhimin e situatës dhe mbështetjen e operacionit.
Flakët u përhapën me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era e fortë, duke rrezikuar të afroheshin pranë varrezave dhe banesave të zonës. Falë reagimit të menjëhershëm të ekipeve të emergjencës, zjarri u lokalizua në kohë, duke parandaluar dëme më të mëdha në pronat dhe infrastrukturën përreth.
Si pasojë e zjarrit, janë djegur rreth 7 hektarë sipërfaqe me ullinj dhe pyll me shkurre, ndërsa autoritetet po vlerësojnë dëmet e shkaktuara në zonë.
Megjithëse flakët janë vënë nën kontroll, forcat zjarrfikëse vijojnë të qëndrojnë në terren për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë menjëherë në rast se riaktivizohet ndonjë vatër zjarri. Kushtet atmosferike dhe temperaturat e larta mbeten një faktor rreziku për përhapjen e zjarreve, ndaj autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë vatra të reja.
Ndërkohë, pritet që autoritetet përkatëse të kryejnë verifikimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe të vlerësojnë nëse ka pasur elementë të neglizhencës apo zjarrvënieje të qëllimshme.
KOHA JONË SONDAZH

