Nga “Beretat e Gjelbra” te diplomacia, Eric Wendt zyrtarisht ambasador i SHBA-së
Eric Wendt, gjenerallejtënant në pension i Forcave Speciale amerikane “Beretat e Gjelbra”, sjell në detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri një karrierë të gjatë ushtarake dhe diplomatike, me mbi 34 vite shërbim aktiv.
Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur disa poste të rëndësishme komanduese dhe ka drejtuar struktura të mëdha me personel ushtarak, civil dhe ndërinstitucional. Ai ka shërbyer në Evropë si Komandant i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s, duke pasur nën komandë forcat speciale të caktuara për Aleancën, përfshirë edhe njësitë shqiptare të operacioneve speciale. Në këtë rol, ai ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me drejtues dhe përfaqësues të strukturave shqiptare të mbrojtjes.
Wendt ka kaluar 55 muaj në operacione luftarake në zona të ndryshme të botës. Një pjesë të rëndësishme të karrierës e zë shërbimi në Afganistan, ku për një vit ka qenë Zëvendës-Komandant Rajonal dhe ka pasur ndër detyrat edhe mbikëqyrjen e trupave shqiptare të angazhuara atje.
Ai ka shërbyer gjithashtu si Shef i Shtabit të Komandës së Paqësorit të SHBA-së. Për dy vite ka qenë pjesë e Departamentit të Shtetit, në Ambasadën amerikane në Jerusalem, ku ka drejtuar një koalicion prej tetë shtetesh si Koordinator i Sigurisë së SHBA-së për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez.
Pas përfundimit të karrierës ushtarake, Wendt ka punuar si Profesor i Praktikës në Shkollën Pasuniversitare të Marinës, ku ka dhënë mësim në fushën e Komandimit dhe Udhëheqjes.
Ai ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, dhe Masterin në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey. Wendt flet arabisht dhe koreançe dhe është nderuar me një sërë medaljesh dhe dekoratash gjatë karrierës së tij.

