
Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria ka luajtur një rol aktiv në promovimin e paqes dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë vijon të mbetet një çështje e pazgjidhur. Gjatë një bashkëbisedimi në Forumin e Paqes në Paris, Rama u ndal te kontributi i Shqipërisë për stabilitetin rajonal, duke nënvizuar se vendi ynë ka ndjekur vazhdimisht një qasje paqësore dhe bashkëpunuese me fqinjët.
“Shqipëria ka qenë gjithnjë vend paqedashës dhe gjatë 10 viteve të fundit jemi përpjekur të jemi shumë aktivë në nxitjen e paqes e bashkëpunimit me të gjithë në rajon”, deklaroi kreu i qeverisë. Duke folur për rëndësinë e marrëdhënieve të mira me vendet fqinje, kryeministri solli edhe një shprehje të gjyshes së tij, përmes së cilës përcolli mesazhin se bashkëjetesa dhe mirëkuptimi janë të domosdoshme.
“Fqinjët janë aty ku janë. Do të jenë gjithmonë aty. Nuk do të shkojnë asgjëkundi. Kështu që më mirë të përpiqesh që të shkosh mirë me fqinjin, sepse në të kundërt pastaj gjen bela. Gjyshja ime thoshte: ‘Fqinj i lumtur bën një shtëpi të lumtur’”, u shpreh Rama.
Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri pranoi se përpjekjet për bashkëpunim rajonal nuk kanë sjellë ende zgjidhjen e pritshme. Sipas tij, edhe marrëdhëniet e Serbisë me Bashkimin Evropian nuk duket se po përparojnë në drejtimin e duhur. “Jemi përpjekur të bëjmë gjithçka kemi mundur me njëfarë shkalle suksesi. Por sa i takon çështjes për Serbinë dhe Kosovën mbetet një pikëpyetje”, theksoi ai.
Rama u shpreh gjithashtu se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe se pranimi i këtij fakti nga Serbia do të ishte një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. “Ndërkohë që Kosova është një shtet i pavarur, një shtet që njihet nga shumë vende, ende jo nga të gjithë, nuk ka më kthim pas. Nuk ka asnjë mënyrë për ta kthyer në një fantazi të re serbe”, deklaroi kryeministri.
Në përfundim, Rama nënvizoi se sa më shpejt Serbia të pranojë realitetin e shtetësisë së Kosovës, aq më shumë mundësi do të krijohen për kapërcimin e tensioneve dhe ndërtimin e marrëdhënieve normale në rajon.
