Ngërçi me energjinë, ekspertët: Kosto e marrëveshjes Rama-Basha, të importohet
Situata e vështirë hidrike dhe rreziku që i kanoset furnizimit me energji të vendit përgjatë muajve të verës u diskutua në emisionin “Ekopolitikë” të kësaj të marte me gazetaren Aurora Sulçe.
Paneli i ekspertëve ekonomikë të ftuar në studio ndanë qëndrimet e tyre mbi situatën duke u bashkuar në pikën që kjo është kosto e marrëveshjes së 18 majit.
Ekspertët vlerësojnë se mungesat në vend duhet të plotësohen me import, pasi kostot tek qytetarët dhe bizneset do të ishin shumë më të larta nëse nuk garantohet furnizimi sesa vetë humbjet që shkaktohen nga diferencat e çmimit.
Panajot Soko, ekspert për ekonominë: Mënyra si ka derivuar situata në këtë pikë ka dy faktorë: Politikë dhe teknikë. Sa i përket faktorit politik, deri vitin që shkoi ka pasur një traditë të mirë në menaxhimin e rezurseve energjitike të vendit, duke shpërndarë sa më shumë pjesën e importit me qëllim ruajtjen e rezervave hidrike në momentin kur ato do pësonin uljen e pritshme që ndodh çdo verë në këtë periudhë. Sivjet çuditërisht fill pas marrëveshjes së 18 majit, gjithë ky koncept i mirëmenaxhimit në një periudhë të caktuar stopoi pasi u pa që në muajin maj nuk u projektua importi i energjisë për muajin qershor. Në muajin qershor, me ardhjen e drejtorit të ri teknik, në fund të muajit bëhet një tender për blerjen e energjisë elektrike për tre ditët e fundit të qershorit dhe korrikun. Në qershor u keqmenaxhua gjithë kaskada e Drinit dhe së dyti energjia në qershor u ble me një çmim 9 euro më shtrenjtë.
Alban Zusi, kryetar i Qendrës së Eksporteve: Është dhe problem social, qytetarët do ta ndjejnë nëse ky problem nuk zgjidhet. Fabrikat, industritë e kanë ndjerë, rifilloi ndezja e gjeneratorëve nga 1 orë, 2 orë në ditë.Ka dy javë kjo historia. Është dhe problem ekonomik, të harxhosh kaq shumë para 9 euro më shtrenjtë sesa tregu për ta blerë, kush do i paguajë këto para. Mund të shkonbn për shërbime të tjera. Këto janë kusure të një politike të çoroditur si ajo e Ministrave teknikë, një eksperiment që nuk ishte bërë ndonjëherë. Më shumë se abuzivizëm është një konseguencë e një marrëveshje, apo emërimi pa ditur se çfarë duhet të bëjnë. Nuk mund të lësh ekonominë e një vendi në dorë të një njeriu që nuk ka asnjë lloj të drejte tjetër përveç se të pushojë apo mbajë njerëzit në punë. Është momenti për të projektuar dhe politika të tjera që na bëjnë më të pavarur ndaj situatave hidrike.
Olti Rrumbullaku, ekspert për ekonominë: Kjo është një situatë që nga ana e skenareve që kanë këto sektorë është dhe e parashikuar. Kredia e BB ka shumë komponentë dhe një prej tyre është shuma prej 22 milionë euro kur kemi thatësira si ky rast. Problemi qëndron tek mospërputhjet kohore, ne jemi në situatë thatësirë dhe gjithë zinxhiri i komandës që duhet të reagojë nuk fuksionon. Nuk funksionon tek OSHEE. Kemi tre momente: Ndërhyrjen që mund të bënte OSHEE përmes fondeve që ka për investinet, fondet e BB dhe mënyrën e tretë që të ndërhyjë buxheti.Dy të parat u penguan.
Enea Janko, ekspert për ekonominë: 2016 ka qenë ndër vitet më të suksesshme ku bilanci import-eksport është pozitiv. Situata me reshjet që ka qenë shumë i ulët është ndër faktorët kryesorë për situatën tani. Në 6 muaj e 2017 fillon e bie dhe kjo ka ardhur për shkak të reshjeve më shumë dhe jo keqmenaxhimit. Jam dakord për dy muajt e fundit të marrëveshjes politike. Kryeministri duhet të ndërhyjë, kaskada e Fierzës është në nivelet më të ulëta të 25 viteve të fundit, 72 m. Niveli do bjerë akoma më shumë, e rëndësishme është të menaxhohet situata, të përdoren burimet e OSHEE. Importi është shumë i rëndësishëm.Mbulimi i nevojave të popullsisë dhe bizneseve është shumë më i rëndësishëm sesa çmimi i importit të energjisë, kostot që do shkaktohen nga mungesa e energjisë do të jenë shumë të larta sesa humbjet që shkaktohen nga diferencat e çmimit.

